Futboll Shqipëri Sport

“FORCA E HYSAJ, ATY KRITIKOJNË DHE DEL PIERON”/ Bogdani u përgjigjet tifozëve të Lazios: Elsi është i fortë…

Elseid Hysaj është bërë gabimisht pre e një furie ofendimesh nga një pjesë tifozësh ekstremistë fashistë të Lacios, pa pasur asnjë lidhje ideologjke. Mirëpo, prej kohësh, shqiptarët në Itali nuk e kanë “gjetur shtruar”.

Erion Bogdani, ish-bomberi i Kombëtares, që ka shkëlqyer në Serinë A, sidomos me pjesën e skuadrave të Jugut apo ekstremit tjetër, atij të majtë, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport”, si zgjidhen situata të tilla ekstreme me ultrasit.

“Bogu” flet specifikisht për ngjarjen që ka përfshirë Hysajn, ndërsa komenton edhe të shkuarën e tifozërive italiane, rastet kur ai i ka bërë tifozëritë që të ndryshojnë mendimin për të. “Në Itali kritikohej edhe Del Piero e Toti, jo më të huajt”, tregon ndër të tjera ish-bomberi i Kombëtares.

Situata me Hysajn, këndon një këngë të bërë “hit” në serialin “Casa de Papel” (Shtëpia e Parave), por ultrasit kalojnë deri në kërcënime. Si e keni parë së fundmi atë që ka ndodhur me mbrojtësin?

E kam lexuar në media çfarë ka ndodhur. Janë ngritur edhe disa hipoteza, bazuar në atë që dihet se çfarë tifozërie që ka Lacio e cila përherë ka pasur probleme në Itali. Edhe më herët, sidomos kur luante me Livornon. Megjithatë, një lojtar si Hysaj që ka eksperiencë të madhe, jo vetëm në Serinë A por edhe në Champions, nuk do ta ketë problem këtë presion.

Aq më tepër, Hysaj ka luajtur edhe në Napoli, ku me thënë të drejtën presioni është i madh. Jam i sigurt që do ta demonstrojë në fushë që është profesionist dhe të gjitha këto që janë ngritur, do të sheshohen shpejt, pasi janë episode që s’kanë të bëjnë me ideologji apo me politikë. Kanë qenë krejt të paqëllimshme.

Si ka qenë presioni për shqiptarët në Itali dhe si e shihni sot, kur gjerësisht duket se çdo gjë që bëjnë shqiptarët atje, shihet dhe trajtohet me një lupë të madhe?

Situata është zbutur shumë. Futbolli në Itali është shumë i ndjekur, ka shumë tifozë pasionantë pas këtij sporti. Gjatë gjithë kohës, ndonjë fjalë, jo vetëm të huajt që e kanë marrë prej tifozëve, por nuk u ka munguar as vetë lojtarëve italianë. Tifozët nuk është se t’i falin gabimet në Itali, të jesh i huaj apo italian. Unë nuk dua t’i ngatërroj këto gjëra.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Ne si shqiptarë, këtu në Itali, kemi qenë kurdoherë të mirëpritur. Që nga fillimet kur kam qenë një nga të parët që kam ardhur këtu në Itali së bashku me Igli Taren, them se situata ka ndryshuar shumë dhe sot shohim shumë shqiptarë në Itali. Nuk ka trajtime të tilla, sepse gjithçka matet me atë që tregon në fushën e lojës.

Në Itali, siç mund të kenë kritikuar ndonjë që është i huaj, kanë kritikuar edhe italianët. Në Serinë A duhet të jesh shumë i fortë nga ana mendore. Në kohën time, kur kanë kritikuar lojtarë si Del Piero, Toti, Trezege apo Ibrahimoviç, imagjino se çfarë mund të bëhet për futbollistë të tjerë. Karriera e futbollistit ecën përpara dhe një lojtar, bëhet i fortë kur u bën ballë edhe të tilla presioneve. E tregon në fushë sa vlen

Related posts

SKANDALI I PËRDHUNIMIT/ Reagon vëllai i CR7 pas akuzave se portugezi DHUNOI një grua

Isa.Autor

De Laurentis: Na janë vjedhur 8 pikë, Sarri vendos javën e ardhshme

Sadik.Autor

Akord me Teutën, mbrojtësi i Partizanit drejt “djemve të detit”

Isa.Autor

Leave a Comment