Futboll Sport

SA SHUMË “KASAPË” NË FUTBOLL/ Jo vetëm Chiellini-Saka, ja 10-të faullet historike…

Italia u shpall kampione Europe më 11 korrik në strofkën e “Tre Luanëve” në zemër të Anglisë, në Londër, në një mbrëmje ku tregoi se e kërkoi me forcë suksesin, ndonëse u ndëshkua me gola pas vetëm 117 sekondash lojë. Por, edhe pse trofeu kontinental erdhi pas goditjes së 11-metrave, momenti emblematik i finales ishte faulli i Kielinit ndaj Sakës, i cili me forcë, me dhunë ndoshta për disa, e tërhoqi nga bluza të riun anglez dhe e përplasi në tokë për t’i mohuar një kundërsulm të rrezikshëm për të zotët e shtëpisë.

Por, edhe pse anglezët ngritën një peticion për këtë moment, ku firmosën 150 mijë tifozë për të riluajtur finalen, pasi sipas tyre “King Kong” Kielini meritonte të kuq dhe jo të verdhë në atë rast, e vërteta është se futbolli nuk është një sport për të qaramanët… Futbolli është një loje teknike, taktike, por edhe i ashpër shpesh herë, me përplasje fizike trup më trup apo edhe me faulle më të forta brenda limiteve të rregullores. Prandaj edhe ai moment epik mes Kielinit dhe Sakës në stadiumin “Uembli” do të mbesë përjetë në memorie, ndonëse historia ka parë shumë, po shumë faulle më të rrezikshëm sesa ai që bëri gjiganti italian ndaj të riut anglez. Madje, janë disa faulle të cilët as që mund të krahasohen me grisjen e jakës së bluzës që pësoi sulmuesi i Arsenalit në 11 korrik, por po flasim për goditje që mund të kishin shkatërruar karrierën e një futbollisti apo akoma më keq edhe shëndetin e rivalit. Prandaj, duke lënë mënjanë episodin Kielini-Saka poshtë do të listojmë 10 ndër faullet më të frikshme të historisë.

1) DE JONG-ALONSO Ndoshta vendi i parë për faullin më të frikshëm e meriton ai i shkaktuar nga Martin Tejlor i Birmingamit ndaj Eduardo da Silvës së Arsenalit, duke i këputur kockën e këmbës dhe kaviljen brazilianit, por ajo foto është e patransmetueshme duke parë pasojat. Prandaj, në vendin e parë po zgjedhim goditjen e Najxhel de Jongut ndaj Ksabi Alonsonit. Në finalen e Botërorit 2010 mesfushori holandez godet me një forcë të frikshme në gjoks fantazistin spanjoll, mushkëritë e të cilit shpëtuan për mrekulli pa u çarë nga një goditje që mund t’i kishte shkaktuar vërtet pasoja të rënda.

2) PEPE-KASKUERO Një tjetër kamikaz është edhe portugezi Pepe. Bëmat e tij janë gjithashtu të pafundme në karrierë, por ajo që do të mbahet mend më gjatë është shqelmi nga kurrizi në kokë teksa që morri 10 vite më parë Francisko Kaskuero. Ky i fundit edhe pse u rrëzua nga mbrojtësi i Realit të Madridit në atë periudhë, Pepe nuk kishte të ngopur teksa pas shqelmit të parë e goditi edhe dy herë të tjera rivalin e tij, episod që i kushtoi 10 ndeshje pezullim, ndonëse mund të kishte merituar edhe burgun.

3) MATERACI-IBRA Ndoshta kur zbarkoi në Itali nuk ishte ai Zlatani i fortë që të gjithë njohim tani, duke qenë se te Juventusi nuk i kanë shumë qejf grindavecët. Por, ndoshta Ibra kur e pa se si i shpëtoi karriera pas një hyrjejeje, që është pak ta quash vrastare, në një Juve-Inter të 17 viteve më parë (Materaci i lëshohet me të dyja këmbët dhe e rrethon Zlatanin, duke rrezikuar t’i këpusë totalisht gjurin) ai vendosi që të falënderojë Zotin që gjuri i tij shpëtoi paq, derisa u hakmor me atë shqelm të famshëm që i dha në stomak Materacit, në derbin dhe në eksperiencën e parë me Milanin, siç i tregojnë të dyja fotot ngjitur.

4) MATERACI-SHEVÇENKO Një tjetër kasap që mund të mburret më bëmat e tij. Marko Materaci ka një kurrikulum ndërhyrjesh që përveç kartonëve të kuq dhe skualifikimeve, disa prej tyre mund të meritonin edhe disa ditë apo javë burg. Prandaj, Andrij Shevçenko e di mirë se është një njeri me fat, teksa në një derbi u morr disa herë në shënjestër nga Materaci, me goditje në çdo zonë të trupit, por më epik është shqelmi i marrë në brinjë, pasi ylli i Milanit provoi ta kalonte në driblim zikaltrin.

5) GOIKOEÇEA-MARADONA Po hyjmë në kategorinë e të paharrueshmëve… Ishte 24 shtator 1983 dhe Maradona kishte nisur t’i tregonte të gjithë botës magjitë e tij. Në këtë periudhë luante për Barcelonën dhe teksa pakkush në atë ndeshje kundër Bilbaos arrinte t’ia hiqte topin nga këmbët, Diego dhe e gjithë bota pa ndoshta një ndër faullet më të frikshme të mundshme, teksa po e ndiqte dhe duke pritur momentin që t’i afrohej sa më shumë, Andoni Goikoeçea kërcen dhe me të dyja këmbët e mbledhura lëshohet në pjesën e pasme të këmbës së Maradonës me të gjithë forcën. E pabesueshme, por e vërteta, Diego shpëton pa probleme, por aq u desh që pas këtij episodi të shpërthente në fushë një ndër sherret më masive, me shqelma dhe grushte mes lojtarëve dhe pankinave të të dyja skuadrave, që stadiumi “Kamp Nou” kishte parë.

6) XHONS-GASKOIN Ndoshta, për brezat e rinj, Vini Xhons njihet vetëm si aktor, por ai ka qenë edhe një ish-futbollist profesionist, ndonëse ato që sot skenat e dhunshme që aiaktron në Hollivud i ka pasur bërë edhe në fushën e lojës. Nëse shqelmat dhe faullet e rënda të shoqëruara me të kuq nuk kanë munguar asnjëherë, epike do të mbetet vreri që shfryu ndaj Pol Gaskonit, në një ndeshje të vitit 1988, ku ai nuk përdori muskujt dhe goditjet e ashpra për ta dëmtuar, por mjaftoi që t’i afrohej dhe me dorë i shtrëngoi gjenitalet ish-futbollistit të famshëm anglez. Fotoja tregon qartë dhimbjet e Pol Gaskoinit…

 7) TOTI-BALOTELI Në mjaft raste ishte kritikuar Mario Baloteli për sjellje jo shumë të bukura në fushë, ndonëse kurrë nuk ka qenë i egër me faulle. Por, për një natë, e gjithë bota mishëroi më shumë se çdo herë tjetër “Super-Marion”, teksa në një ndeshje ndaj Romës, në “Olimpiko”, ai po merrte zvarrë me driblimet e tij dy mbrojtës verdhekuq, Françesko Toti, nuk e pëlqeu këtë lojë të Balotelit dhe nga mbrapa i lëshon një shqelm në kofshë interistit duke merituar kartonin e kuq.

8) BURDISO-JEPES Gjaku latin është shumë i nxehtë dhe në kategorinë e lojtarëve të egër nuk mund të mungonte edhe një argjentinas si Nikolas Burdiso, i cili është një ndër lojtarët që ndoshta ka marrë më së shpeshti kartonë të kuq direkt, pasi goditjet e tij kanë qenë të frikshme në mjaft raste. Ato që kanë vuajtur gjuajtje që edhe karateristët më të mirë do t’i kishin zili janë ish-milanisti Mario Jepes (siç duket te foto) apo edhe Daniele Konti i Kaljarit, i cili rrezikoi gjenitalet në një Kaljari-Roma të 11 viteve më parë.

 9) MONTERO-TOTI Kur flitet për kasapët e futbollit, një vend në tribunën e “nderit” e ka pa dyshim Paolo Montero. Ish-mbrojtësi i Juventusit ka qenë protagonist i shumë goditjeve jashtë normave, por dikush që nuk do ta harrojë asnjëherë uruguaianin është Françesko Toti. Në një Roma-Juve të më shumë se një dekade më parë, kapiteni verdhekuq, i cili sapo kishte ardhur pas një dëmtimi të rëndë në kavilje, për kurimin e të cilës kishte marrë edhe 6 vidha, teksa tentonte të mbronte topin merr një shqelm nga mbrapa nga Montero, pikërisht në këmbën e operuar. Shumë dhimbje, por pa probleme të mëdha, ndërsa për Paolon ishte thjesht një tentativë për të kapur topin, ndonëse meritoi të kuqin direkt.

10) SHNAJDER-GARGANO Kur sheh atë pamje të duket e habitshme sesi ajo kockë nuk është thyer. Në një Inter-Napoli të një dekade më parë fantazisti holandez i Napolit, Uesli Shnajder, bën një ndërhyrje të frikshme ndaj mesfushorit të Napolit, Valter Gargano, një ndërhyrje nga ato që mund t’i kishte kushtuar uruguaianit ndoshta edhe 1 vit qëndrimi jashtë fushave të lojës, por më e bukura është se në fund ai moment përfundoi me një sherr masiv, por vetëm me një karton të verdhë. Çmenduri!

Related posts

ZHDUKJA E EMILIANO SALA/ Trupi i nxjerrë nga avioni është i futbollistit (FOTO)

Delo.autor

Stuttgart shënon golin e dytë ndaj Bayernit (VIDEO)

Sadik.Autor

“AI ËSHTË 40 VJEÇ DHE…”/ Trajneri frenon rikthimin e Federer: Ka pak shanse të luajë në “Australian Open”

Delo.autor

Leave a Comment