Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ AEL LIMASOL/ Interes i jashtëzakonshëm për ndeshjen e Vllaznisë, shiten 2 mijë bileta për…

Kaos mes vapës, tifozë që ndihen të fyer, radhë të gjata dhe mbi të gjitha një interesim i jashtëzakonshëm në Shkodër për të blerë një biletë për ndeshjen që do të luhet të enjten mes Vllaznisë dhe AEL Limasolit në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 21:00.

Ditën e djeshme ka nisur shitja e biletave në sportelet pranë stadiumit, por edhe “online” në internet, mirëpo tifozët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre. Ka mjaftuar një problem teknik për pak minuta, që të krijohet radhë e gjatë në sportelin kryesor te stadiumi, por tifozët janë ankuar edhe për faktin se edhe “online” sistemi nuk ka funksionuar.

Megjithatë, kompania e kontraktuar për shitjen e biletave, ka zgjidhur problemin në kohë dhe nga ajo që mëson “Panorama Sport”, në vetëm 5 orë shitje në ditën e parë, kanë “avulluar” rreth dy mijë bileta. Vlen të theksohet se në “Loro Boriçi” nuk do të lejohen më shumë spektatorë se 30 % e kapacitetit të stadiumit, që do të thotë rreth 5 mijë të tillë.

Me një interes kaq të madh, me siguri do të jenë të shumtë ata që do të mbeten pa bileta, edhe pse jo për faj të tyre. Një biletë në tribunat C1, C2, C3, C4, E1, E2, E3 dhe E4 kushton vetëm 3 mijë lekë të vjetër. Në tribunat D1, D2, D3 dhe D4 nga 6 mijë lekë të vjetër, ndërsa në A dhe B, nga 10 mijë lekë të vjetër. Vetëm në sektorin VIP bileta është më e shtrenjtë, 50 mijë lekë të vjetër.

Related posts

“PSG MË BËRI BURRË”/ Mbappe shkruan historinë e klubit

F.autor

Flamurtari, Tounkara dhe Muarem gati për Skënderbeun

Q.Autor

VENDOS PËR TË ARDHMEN E TIJ/ Icardi shpreson që të transferohet në Man United

Delo.autor

Leave a Comment