Futboll Kategoria Superiore Sport

ÇUDIRA SHQIPTARE/ Dinamo dhe Partizani stërviten në një fushë. Daja lë ekipin të presë

Partizani kreu ditën e djeshme seancën e parafundit stërvitore në prag të sfidës kundër Dinamos, që do të jetë derbi i parë i sezonit në Superiore. Si zakonisht, seanca stërvitore u krye në kompleksin stërvitor “Football Republic”, aty ku po stërviten edhe një pjesë e mirë e ekipeve në Superiore, pasi shumica e stadiumeve po rikonstruktohen. Fillimisht, ishte ekipi i Dinamos që u stërvit në këtë kompleks stërvitor për t’ia lënë më pas radhën skuadrës së Kukësit.

ZHVENDOSJA – Seanca stërvitore e Partizanit ishte programuar të zhvillohej në orën 13:00, kur seanca e Kukësit të përfundonte. Por futbollistët zbritën në terrenet stërvitore që në orën 12:15 duke kryer nxehmjen e duke bërë disa ushtrime me topin. Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, u kërkoi lojtarëve të tij të mos afrohen te fusha ku po stërvitej Kukësi me lojtarët e kuq që qëndruan në fushën tjetër. Për 45 minuta, futbollistët e Partizanit u stërvitën në një fushë për të kaluar më pas te fusha tjetër, sapo lojtarët dhe stafi i Kukësit u larguan. Kur lojtarët dhe stafi teknik i Partizanit u bashkuan në fushën ku do të kryhej stërvitja, fillimisht u bë një bisedë prej disa minutash mes Dajës dhe futbollistëve. Më pas, trajneri Daja nxori programin e tij dhe i udhëzoi lojtarët të nisnin me ushtrimet taktike. Për rreth 20 minuta lojtarët bënë ushtrime pasimi, për të kaluar më pas në një minindeshje kontrolli mes tyre, me Dajën që provoi disa alternativa. Nuk munguan as situatat e goditjeve standarde.

STËRVITJA E PAZAKONTË – Gazeta ka ngritur disa herë shqetësimin sa i takon klubeve shqiptare që nuk kanë stadiumet e tyre. Vetëm në kompleksin sportiv “Football Republic” stërviten plot 15 ekipe, ku vetëm ditën e djeshme ishin Dinamo, Kukësi, Partizani dhe Turbina, në harkun kohor të 3 orëve. E pamundur për të bërë skema për trajnerët, pasi “spiuni” është pas dere. Ndoshta në rastin konkret Dinamo është disi më e favorizuar për blutë e drejtuar nga Bledi Shkëmbi, u stërvitën me qetësinë më të madhe dhe vetëm pasi mbaruan seancën e tyre u afruan edhe ekipet e tjera.

FORMACIONI – Të fiksosh një formacion të Partizanit është thuajse e pamundur, për shkak të kontingjentin të madh që Daja ka në dispozicion. Një mungesë thuajse e sigurt është ajo e Damçevskit, pasi qendërmbrojtësi i “demave” ka hequr tri dhëmballë dhe ka ndjerë dhimbje gjatë gjithë javës. Damçevski mungoi në sfidën e Kupës së Shqipërisë kundër Tërbunit dhe në sfidën e Superiores ndaj Vllaznisë. Në vend të tij u aktivizua Dajan Shehi dhe 24-vjeçari pritet të jetë sërish në krah të Belicës edhe në derbin ndaj Dinamos. Ndërsa Alban Hoxha, do të jetë në portë titullar. Ndryshim pritet të ketë në krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku Albion Marku do të ulë në stol Gligorovin. Mala, Kaçe dhe Herald Marku priten të rreshtohen në mesfushë, ndërsa Zhuniori e Cara ruajnë vendin e tyre në sulm. Këtyre dy lojtarëve pritet t’iu bashkohet Andrija Filipoviç, që në stërvitjet e ndeshjet e fundit ka treguar një rendiment të mirë dhe është më se gati për ta nisur nga minuta e parë.

Related posts

Dështoi transferimi me Liverpoolin, Aulas: Fekir i lumtur tek ky klub…

Isa.Autor

LIVE/ Mbyllet ndeshja Kukësi-Laçi. Rezultati 3-1

Delo.autor

“TOKIO 2020″/ Atletja bjelloruse që refuzoi të kthehej në atdhe largohet nga Japonia

Delo.autor

Leave a Comment