Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ PARTIZANIT/ Drejtori i bluve: Dinamo është gati për këtë ndeshje dhe…

Kjo fundjavë rikthen në futbollin shqiptar derbin e munguar mes Dinamos dhe Partizanit. Një derbi që vjen në një moment kur ndoshta blutë janë më mirë në aspektin psikologjik, pasi kanë më shumë pikë se të kuqtë në renditje. Megjithatë, në ndeshje të tilla ndodh gjithçka dhe një fitore e mundshme sjell më shumë besim për objektivin sezonal. Për “Panorama Sport” flet drejtori i përgjithshëm i Dinamos, Ermal Barushi, i cili komenton derbin, por edhe organizimin e bluve pas rikthimit në elitë.

Z. Barushi, jemi në prag të derbit me Partizanin, që mungon prej një kohe shumë të gjatë për Dinamon. Si e prisni këtë sfidë?

Po, është një kohë shumë e gjatë që Dinamos i mungojnë ndeshjet derbi, për vetë periudhën që ka kaluar, por tani jemi këtu, përsëri mes më të mirëve të futbollit shqiptar dhe është kënaqësi që të përjetojmë emocionet e derbit me Partizanin. Dinamo është gati për këtë ndeshje dhe për gjithë sezonin, siç e ka treguar edhe gjatë javëve të para të kampionatit.

Pritshmëritë e tifozëve dinamovitë dhe opinionit sportiv janë të mëdha duke parë merkaton dhe organizimin e klubit. A do të dijë skuadra t’u përgjigjet këtyre pritshmërive?

Kjo është krejtësisht normale kur bëhet fjalë për Dinamon, që është një markë, një brand i futbollit shqiptar. Dinamo i bën mirë futbollit shqiptar, i jep shije atij. Presidenti Adrian Bardhi ka bërë një organizim shumë të mirë të klubit në kohë rekord sepse gjithçka duhej nisur nga e para, që nga skuadra e re e Superiores, nga stafi teknik e drejtues, strukturat e klubit dhe akademia. Projekti për Dinamon e re është afatgjatë dhe qëllimi final është që kjo skuadër të kthehet si dikur, lokomotivë në futbollin shqiptar. Jo më kot është punuar që në fillim edhe për akademinë e klubit. Investimi i presidentit Bardhi është shumë serioz dhe ambicioz, ndaj dhe besoj se Dinamo do t’u përgjigjet pritshmërive duke qenë ajo “nëndetësja” tradicionale në kampionat.

Me 5 pikë në 3 ndeshjet e para të kampionatit, jeni të kënaqur?

Skuadra ka bërë paraqitje të mira në këto tri ndeshje dhe kuptohet që do të vijë duke u rritur në vazhdim sepse është ndërtuar rishtazi. Ndoshta mundësitë kanë qenë për më shumë pikë, nëse kemi parasysh që Laçi na barazoi në fund dhe që me Teutën, kampionen në fuqi, krijuam raste shënimi. Megjithatë, është fillimi i kampionatit dhe 5 pikë nuk janë keq, për më tepër që Dinamo nuk është mundur.

Rikthehemi te derbi që duhet ta luani në Elbasan. Ju vjen keq për këtë fakt, si ekip organizator i ndeshjes?

Sigurisht që na vjen keq. Është mëkat që nuk do ta luajmë këtë ndeshje në stadiumin “Air Albania”, ku shpresonim shumë, por fusha nuk është gati dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Po marrim të gjitha masat që në Elbasan të jetë gjithçka në rregull dhe të zhvillohet një ndeshje korrekte nga ana organizative, pastaj janë skuadrat me atë që japin në fushë që e bëjnë të bukur derbin. Shpresojmë të jetë një ndeshje sa më spektakolare dhe mbi të gjitha “fair play”. Natyrisht, Dinamo do të futet vetëm për 3 pikë sepse siç thuhet, derbi nuk luhet, por vetëm fitohet. Mos të harrojmë fjalët e Ballgjinit të madh: Dinamo ka lindur vetëm për të fituar.

Në stafin e Partizanit do të gjeni tre ish-dinamovitë, Ilir Dajën, Ilir Bozhiqin, por edhe Pollozhanin…

Dinamo është kudo, Dinamo ka qenë dhe mbetet shkollë e futbollit shqiptar.

Nga presidenti Bardhi është thënë se shumë shpejt Dinamo do të bëhet me shtëpi. A ka diçka të re në këtë drejtim?

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për Dinamon dhe presidenti është duke punuar fort. Shpresojmë që së shpejti të kemi diçka konkrete.

Ku e shihni Dinamon në fund të këtij sezoni?

Në Europë, pse jo edhe kampione. E thashë që në fillim se Dinamos nuk i mungon asgjë, investimi është shumë serioz. Natyrisht që do të duhet pak kohë, por Dinamo në çdo ndeshje do të synojë maksimumin dhe nuk ka pse të mos besojmë se mund të fitojmë trofe. Në emër të presidentit Bardhi i sigurojmë tifozët që Dinamo po ngjit majat e futbollit shqiptar. Prandaj, kërkojmë mbështetjen e tyre.

Related posts

SHTYU ARBITRIN DY HERË ME DUAR/ Lojtari i skuadrës së njohur rrezikon të mos luajë futboll për… (VIDEO)

Delo.autor

Drejtori sportiv i Man City: S’kemi shanse ta blejmë Messin

Q.Autor

Capello “duartroket” vendimin e Zidane: Pa Champions do të ishe shkarkuar

Sadik.Autor

Leave a Comment