Futboll Kategoria Superiore Sport

ANALIZON PARTIZANIN PËR KËTË SEZON/ Sukaj: Nuk po vuajnë sulmuesit, deri tani meriton notën 9

Ish-sulmuesi i Partizanit, Xhevahir Sukaj, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport” sa i takon ecurisë së Partizanit në këto katër javë të para, si dhe ka treguar se si e sheh Kategorinë Superiore këtë sezon, duke thënë se do të jetë një edicion shumë i luftuar mes disa skuadrave. Për ecurinë e Partizanit, Sukaj shprehet se kanë munguar vetëm rezultatet, pasi loja ka qenë bindëse, si dhe do t’i vendoste notën 9 për atë që kanë treguar “demat” deri më tani në fushën e lojës. Problemet në sulm? Sukaj i tregon ashtu siç di vetëm ai, duke dhënë një përgjigje tepër pikante: “Nuk po vuajnë sulmuesit… Më mirë të themi që janë shumë të rrallë ata sulmues që marrin ekipin për dore si dikur…”.

Xhevahir, Partizani nuk e ka nisur mirë sezonin e ri. Si ju është dukur ekipi pas 4 javëve të para?
Fakti që ka tri pikë në katër javët e para duket sikur gjërat nuk shkojnë… Por është komplet ndryshe nëse e shikon se çfarë loje bën. Për mua, Partizani ka luajtur futboll të bukur dhe me lojë të shpejtë.

Vetëm 3 pikë nga 12 të mundshme, a do të ndikojë kjo nisje negative tek objektivat e Partizanit?
Jo, është shumë herët të flasim nëse do të ndikojnë apo jo. Ekipi i vendit të parë është vetëm 5 pikë larg, kështu që mendoj se nuk ka vend për ndikim. Nganjëherë, më mirë është kur nuk vijnë rezultatet në fillim, sepse ke kohën e duhur për rikuperimin e pikëve.

Çfarë nuk ka shkuar, sipas jush, te Partizani?
Mendoj se disa gabime personale të lojtarëve kanë ndikuar në rezultat, por loja është bindëse dhe normalisht rezultatet do të vijnë shumë shpejt.

Pse po vuajnë sulmuesit për të shënuar?
Nuk po vuajnë sulmuesit… Më mirë të themi që janë shumë të rrallë ata sulmues që marrin ekipin për dore si dikur…

Duket se do të jetë një tjetër sezon i luftuar. Si i shihni ekipet e Superiores?
Pa diskutim që do të jetë super i rivalizuar edhe ky vit, pasi ka shumë ekipe pretendente.

Rikthimi i Dinamos në Superiore ia shton bukurinë kampionatit?
Dinamo i mungoi për shumë vite Superiores dhe shyqyr që u rikthye, sepse është ekip me shumë emër dhe me Dinamon normalisht është shumë më e bukur Superiorja. Do të jetë edhe më e bukur kur të rikthehet edhe Flamurtari.

Po Vllaznia, si ju duket këtë sezon?
Vllaznia më duket kopje e vitit që kaloi, me lojë të shpejtë dhe qarkullim të rrjedhshëm. Është pretendente kryesore për titullin kampion dhe është emblemë në futbollin shqiptar. Në çdo vend që luan Vllaznia, është festë për qytetin që e pret. Të gjithë e duan Vllazninë.

Sfida e radhës për Partizanin është kundër Kukësit. A është detyrim fitorja?
Çdo ekip, në çdo ndeshje, përgatitet për fitore, duke e menduar si detyrim. Por Partizanit, nga pikët që ka, i duhet me çdo kusht fitorja.

Çfarë note do t’i vendoste Sukaj ekipit të Partizanit në 4 javët e para?
Partizani për mua ka notën 9. Loja më ka pëlqyer shumë, por jo rezultatet.

Related posts

PAS HUMBJES NDAJ POLONISË/ Ismajli: Fati nuk ishte me ne, pengu i vetëm i kësaj sfide është që…

Delo.autor

“PSE KA FRIKË FSHF?” Kandidati Shakohoxha shpërthen në akuza: Po trukohen zgjedhjet

F.autor

“DUKET SE NUK KE LUAJTUR ME MË TË MIRIN”/ Aguero ndez polemikat me mesazhin kundër CR7

F.autor

Leave a Comment