Futboll Seria A Sport

LAZIO-INTER/ Immobile-Dzeko një sfidë bomberash, ja detajet brenda dhe jashtë fushe të dy golashënuesve…

Imobile-Xheko do të jetë një sfidë bomberash. Të dy kryesojnë tabelën e golashënuesve me 6 gola të realizuar deri më tani me lacialin që ka në portofol 2 asiste kundrejt 1 të boshnjakut dhe në fushë të dy do të kërkojnë epërsinë, por jashtë saj të dy kanë po aq të përbashkëta sa edhe diferenca.

NUMRAT – Si Xheko(35 vjeç) dhe Imobile (31 vjeç) i kanë kaluar 100 golat. Për pesë sezone kanë qenë kundërshtarë në derbin e Romës, por këtë herë boshnjaku ka ndërruar fanellë. Që nga 2015-ta e deri më sot Imobile ka shënuar 161 gola, kurse Xheko 125 dhe madje nuk ka gjuajtur as penalltitë, për të cilat Çiro është një ekspert.

FAMILJA – Sekreti i të dyve është qetësia familjare. Familjet e të dyve janë të përbëra nga tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë. Xhorxhia, Mikela dhe Matia janë fëmijët e Çiros, që bashkë me të shoqen e tij Xhesika, e cila në faqen e saj në “Instagram” numëron 1 milionë ndjekës, jetojnë në një vilë private në veri të Romës. Nga ana tjetër Edin dhe bashkëshortja e tij Amra, e cila me një profil më të tërhequr numëron vetëm 233 mijë ndjekës, bashkë me fëmijët Una, Dani e Dalia, kanë jetuar në Romë në krahun tjetër të qytetit.

PALESTRA – Të dyja bashkëshortet e tyre stërviten çdo ditë dhe normalisht që futbollistët nuk mund të ngelen pas. Xheko po kërkon edhe tani të krijojë një palestër në shtëpinë e re në Milano, ashtu si ajo që kishte në Romë dhe regjimin dhe përgatitjen atletike shpesh ia përgatit gruaja e vet. Imobile ndiqet nga trajneri personal Karmine Mena dhe ashtu si Edini stërvitet shpesh edhe me gruan e tij duke i kushtuar rëndësi stërvitjes me pesha.

KUZHINA – Për sa i përket ushqimit të dy janë shumë të ndryshëm. Çiro është adhurues i kuzhinës tradicionale e mesdhetare, që nga makaronat deri te picat, kurse Edin pëlqen kuzhinën ndërkombëtare dhe është fanatik i pjatave të shëndetshme me bazë perimet, për të cilat kujdeset e shoqja, që i publikon shpesh në rrjetet sociale. Ndërkohë që Xhesika më së shumti poston ëmbëlsirat dhe makaronat që përgatit për Çiron dhe fëmijët.

TATUAZHET – Ashtu si kuzhina, tatuazhet janë një tjetër pikë që i ndan. Edin nuk ka asnjë, ndërsa Çiro ka shumë të tillë, që përfaqësojnë kryesisht familjen dhe karrierën: gruaja dhe fëmijët, po ashtu edhe “Këpuca e Artë”. Më të ngjashme janë zonjat, të dyja kanë të gdhendur në trup emrat e bashkëshortëve të tyre.

ORIGJINA – Si Xheko ashtu edhe Imobile vijnë nga familje të shtresës së mesme. Edin ka provuar në Sarajevë luftën mes bombash dhe një herë ka shpëtuar nga një shpërthim falë mamasë së tij që e urdhëroi të linte topin dhe të hynte në shtëpi, ndërkohë që Çiro është rritur në Tore Anunciata, me prindër shumë kërkues që gjithmonë kanë pasur parësore shkollën, por siç tregon Imobile: “Për mua ekzistonin vetëm stërvitjet dhe topi”, një tjetër pikë e përbashkët me Xhekon.

Related posts

PAMJET/ Harbohet Samuel Eto, shihni si feston pasi u zgjodh si president federate

Delo.autor

“TË DYJA SFIDAT ME HUNGARINË E KEMI MERITUAR FITOREN”/ Bogdani: Broja po afirmohet, i ka të gjitha mundësitë për…

Delo.autor

ZBULOHET BLERJA E PARË NË MERKATO/ Futbollisti i Manchester City-t arrin akordin 5-vjeçare me Barcelonën

Delo.autor

Leave a Comment