Futboll Kategoria Superiore Sport

TIRANA-PARTIZANI/ Reportazhi i gazetës spanjolle për Derbin e Kryeqytetit, e quan… ndeshja e bunkerëve

Derbi i kryeqytetit, domethënë derbi më i ndezur, ai mes Tiranës dhe Partizanit, nuk është më veç një çështje e brendshme e dy klubeve. Rëndësia dhe jehona e tij kanë kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë, teksa edhe në Europë diskutohet për përballjen klasike të futbollit tonë. Gazeta spanjolle me seli në Barcelonë, “Sport”, i ka kushtuar një dosier të veçantë përballjes mes dy klubeve të kryeqytetit, rivaliteti mes të cilave tashmë është ndërkombëtarizuar.

Siç është bërë publike, gazeta spanjolle “Sport” ka çelur një rubrikë të veçantë çdo të shtunë në bashkëpunim me revistën “Panenka” për t’u marrë me aktivitete sportive të rëndësishme jashtë Gadishullit Iberik. Gazeta “Panorama Sport” do të mundohet ta përcjellë këtë dosier të plotë dhe pa ndryshuar asgjë nga shkrimi që mban firmën e Aitor Lagunas, i cili është dhe editori i revistës “Panenka”.

IMAZHI I KEQ – Gjatë ndalesës së fundit (Shënim i “Panorama Sport”: Fjala është për takimet e tetorit) të kampionateve në Europë si rrjedhojë e angazhimeve të ekipeve kombëtare për kualifikueset e Botërorit 2022, Shqipëria u bë pjesë e menysë së mediave më të rëndësishme sportive në botë për shkak të trazirave të shkaktuara dhe shisheve të hedhura në fushë gjatë takimit kualifikues kundër Danimarkës (Shënim i “Panorama Sport”: Bëhet fjalë për lapsus, sepse Shqipëria u përball me Poloninë). Për fat të keq, duket se futbolli i këtij vendi, dikur më i varfri në Europë, shfaqet në mediat sportive të Europës vetëm kur flitet për eksese të tifozëve në shkallët e tribunave. Kështu ndodhi dhe shtatë vjet më parë, kur një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe çoi në ndalesën dhe anulimin e takimit kundër Serbisë në Beograd. Në ndryshim nga polakët, asokohe lojtarët serbë nuk ndihmuan aspak në uljen e tensioneve. Thënë këto, futbolli prej më shumë se një dekade ka bërë hapa përpara, duke qenë në njëfarë mënyre dhe një tregues i modernizimit të Shqipërisë.

DIKTATURA – Përpara gjithë kësaj, Shqipëria ka kaluar 41 vite nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Aq e pandreqshme ishte diktatura komuniste, sa edhe kur vetë Bashkimi Sovjetik vendosi të fshinte nga kujtesa Josif Stalinin, asokohe drejtuesi i Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha, e etiketonte pasuesin e Stalinit, Nikita Hrushovin, një “qen bastard”. Shqipëria në këtë mënyrë ishte e izoluar dyfish: nga Perëndimi për shkak të regjimit komunist dhe nga Lindja për fiksimin e saj ndaj politikës staliniste. Deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, Shqipëria vuajti “penalltitë” e demografisë së saj (një popullsi prej diçka më shumë se 3 milionë banorë) dhe një ekonomi të rrënuar. Vizitat e ekipeve të huaja, si për shembull në përballjet mes Flamurtarit dhe Barcelonës, shënonin një nga rastet e rralla të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës. Por, nëpërmjet një përshtatjeje të sforcuar të kapitalizmit, Shqipëria nisi fluturimin për të mbërritur te kualifikimi i Kombëtares shqiptare në finalet e “Euro 2016”, që është dhe arritja e parë historike e saj. Ndërkaq, në fund të këtij sezoni, “Air Albania” do të presë finalen e Ligës së Konferencës, turneu më i ri dhe më modest i UEFA-s. Është po ky stadium, i cili do të presë një ndër derbet më të nxehta të Europës, Tirana-Partizani.

Related posts

Nuk luajti me Arsenalin, Ozil më pranë Juventusit

Q.Autor

MOVIOLA E EGNATIA-LAÇI/ Kurbinasve u mungojnë dy penallti (VIDEO)

Delo.autor

DY SFIDAT KUALIFIKUESE ME ISLANDËN DHE MOLDAVINË/ Berisha: Na duhet një shkëndijë për të…

Delo.autor

Leave a Comment