Futboll Kategoria Superiore Sport

ANALIZA/ Nga drejtuesit te stafi dhe lojtarët. Kriza e Partizanit kujt i bie “barra”

Partizani ka grumbullu ar 9 pikë në po aq javë në këtë fazë të parë të Kategorisë Superiore. Ky është starti më i dobët i të kuqve, që nga rikthimi në Superiore në sezonin 2013-2014 dhe njëkohësisht nisja më negative gjatë epokës “Demi”. Gazeta ka renditur disa arsye përse Partizani po kalon këtë situatë.

LARGIMET – Në verë ekipin e lanë lojtarë si Jasir Asani, Erald Çinari, Eneo Bitri, Jurgen Bardhi, Esin Hakaj apo Rron Broja, të cilët ishin veshur të kuq prej vitesh dhe përveç faktit se kishin cilësi të mëdha dhe mbanin peshën e ekipit, e kishin të qartë peshën e fanellës dhe përgjegjësinë e të zbriturit me të në fushë.

NISJA E DOBËT – Sezoni nisi me disa gafa dhe gabime tërësisht të shmangshme, ku përmendim ato të Hoxhës apo Damçevskit. Ndoshta boshti i ri i Partizanit, me lojtarë që ende nuk dinë si ta nxjerrin klubin nga momentet e vështira, ndikoi që kjo situatë të bëhet një sëmundje “kronike” dhe dalja nga ky ngërç të duket si ngjitja në këmbë e Everestit a Himalajave.

MERKATO – Partizani bëri disa prurje në merkato dhe u përpoq t’i zëvendësojë të gjithë të larguarit me lojtarë të të njëjtit nivel, por shifrat dhe fusha tregojnë se kjo nuk është arritur. Prurjet kanë qenë të shumta, por deri më tani, përveç Kaçes, cilësitë e të cilit janë të njohura tashmë, askush nga të tjerët nuk është paraqitur në nivelet e kërkuara dhe ka marrë përgjegjësitë, që të larguarit lanë. Deri më tani paraqitjet e tyre kanë qenë mesatare, por për Partizanin kjo fjalë është pak.

KUSH E KA PËRGJEGJËSINË? – Sigurisht përgjegjësi i parë që duhet të mbajë peshën janë drejtuesit. Ata bëjnë merkaton dhe punojnë që në klub të funksionojë gjithçka në rregull, diçka që nuk ka ndodhur deri më tani dhe kjo është edhe arsyeja përse ata po kontestohen nga tifozët.

TRAJNERI – Përveç çedimit në fushë, të cilin trajneri Daja e ka pranuar tashmë dhe po kërkon zgjidhje, ai mund të ketë bërë edhe mëkate të tjera, që kanë ndikuar në të ardhmen e ekipit. Vetë Daja është shprehur se asnjë lojtar nuk vjen te Partizani pa miratimin e tij, çka do të thotë se edhe trajneri ka marrë pjesë në krijimin e ekipit. Pra, lojtarët e miratuar nga trajneri deri më tani nuk kanë treguar vlerat që priteshin. Gjithashtu, trajneri mund të ishte bërë një lloj barriere për lojtarët që lanë Partizanin në verë, duke evituar largimin e të ndonjërit prej tyre.

LOJTARËT – Pesha më e madhe bie te senatorët, si kapiteni Hoxha apo Belica, Mala e Zhunior, por sigurisht ata nuk janë të vetmit që duhet të mbajnë mbi kurriz. Trajneri Daja ka treguar se boshti i ri i Partizanit e kushtëzon në mënyrën e lojës që skuadra bën. Të rinjtë e të kuqve e veshin me shumë dëshirë fanellën e Partizanit, por në fushë ata luajnë sikur po shkon gjithçka në rregull. Ndoshta i vetmi nga të rinjtë, i cili mund të shkarkohet nga “barra”, është Tedi Cara. Ai është sulmuesi më efektiv i skuadrës dhe ka kontribuar vazhdimisht me gola, asiste e penallti të fituara.

AKOMA PA “SHTËPI” – Prej disa sezonesh, Partizani stërvitet në një kompleks privat, në të cilin trajnohen disa ekipe dhe për më tepër në të ka edhe ambiente publike shërbimi. Në këto kushte, Partizani e ka të pamundur të ketë privatësinë e kërkuar. Trajneri e ka shumë të vështirë të aplikojë skema apo ide të reja sepse duhet të ruhet nëse dikush në restoranti apo në shkurret mbi fushën po e spiunon. Por jo vetëm kaq. Fushat e stadiumeve tona janë të gjitha me bar natyral, teksa Partizani stërvitet çdo ditë në një fushë me bar artificial. Mungesa e një kompleksi është natyrisht një arsye madhore përse të kuqtë nuk kanë ecuri të mirë dhe nuk po kapin nivelet e kërkuara.

Related posts

Gjithçka nisi nga “FederBet”, arrin në 30 numri i të arrestuarve për trukime në Spanjë

Q.Autor

Tjetër rekord nga Messi, shënoi golin më të shpejtë në karrierë

Q.Autor

Bufon zbulon sekretet: Ndihem më mirë se 5 vite më parë, jam kafshë në rivalizim

Isa.Autor

Leave a Comment