Futboll Seria A Sport

“IDHULLI IM NË FËMIJËRI? KAKA”/ “Monumentali” Tonali: Nuk kënaqem me pak. Dua Champions dhe titull

Sandro Tonali, një tjetër lojtar krahasuar me sezonin e kaluar. Një lider nga i cili Stefano Pioli nuk pranon të heqë dorë, madje e kursen në ndeshjet e kampionatit për ta pasur si “As” në Champions. Mesfushori që uli rrogën vetëm për të mbetur kuqezi është rrëfyer dje në një intervistë për “Star Casino”.

Në Milan-Torino, stadiumi u ngrit në këmbë për ju…
Emocione fantastike, sidomos pas më tepër se një viti pa tifozë. Unë pata kaluar një sezon të vështirë e kjo më bëri ta shijoj më shumë atë brohoritje.

Me dhunë në zemrën e tifozëve?
Ndoshta, por nuk kam bërë ende asgjë. Duhet të synojmë lart me ekipin sepse deri tani nuk u kemi dhuruar asnjë trofe.

Ndaj Kaljarit dhe Atalantës keni shënuar, asgjë fare nuk është?
Një ditë përpara ndeshjes me Kaljarin kishte provuar shumë goditje dënimi. Fakti që ia dola në “San Siro” ishte si qershi mbi tortë. Në karrierë kam shënuar shumë pak, por për një mesfushor golat janë një shtysë e madhe. Në Bergamo luajtëm mirë dhe kuptuam se ishim kthyer në një ekip të madh. Së bashku mund të shkojmë larg.

Çfarë ishte dhe çfarë është Milani për ju sot?
Një pikë referimi. Si shtëpia. Ka qenë gjithmonë skuadra ime e zemrës. Deri pak kohë më parë e shihja në stadium, por dashuria mbetet e madhe sepse tashmë është edhe vendi im i punës. Kam një tjetër lloj ndjesie për këto ngjyra.

Cili ka qenë idhulli juaj në fëmijëri?
Kam pasur shumë. Po them Gatuzo, Pirlo, Kaka, por ka edhe të tjerë e të gjithë ishin lojtarë të Milanit. Edhe Paolo ishte i tillë, por nuk kujtoj shumë nga ndeshjet që e kam parë duke luajtur.

E kotë t’ju pyes nëse e kujtoni ndeshjen e parë të Milanit që keni ndjekur…
Të parën fare jo, sepse kam qenë shumë i vogël, por kam parë shumë me babain tim. Ajo që kujtoj më mirë është fitorja ndaj Kievos me gol të Sedorfit në minutat e fundit. Nuk ishte paraqitja më e mirë e mundshme, por golat në limite sjellin emocione të mëdha. Aty kupton se pate fat ngaqë tentove duke dhënë gjithçka deri në sekondat e fundit.

Si e gjykoni rritjen tuaj krahasuar me sezonin e kaluar?
Së bashku me trajnerin e nisëm ndryshe sivjet. Ishte krejt ndryshe të nisje sezonin njëkohësisht me shokët. Përgatitja verore të jep forcë për sezonin, e unë nuk e pata këtë shans vjet. Sivjet që e nisa me shokët po shkon gjithçka mirë. Uroj të vazhdoj kështu.

Driblimi ndaj Torinos është tipik i stilit tuaj, por te Milani s’e kishim parë kurrë.
Janë veprime që nuk i mendon kur i bën. Nëse je i bindur në cilësitë e tua e gjen edhe forcën për ta bërë. Të tilla lëvizje burojnë natyrshëm.

Në cilin aspekt mendoni se jeni përmirësuar më tepër?
Nga një realitet si Bresha e gjeta veten te Milani. Dy ekipe të ndryshme, module të ndryshme e ide të ndryshme. Ndryshonin shumë gjëra, përveç futbollit. Loja e Milanit bazohet te duelet dhe secili prej nesh duhet të mposhtë rivalin direkt. Vjet nuk ndihesha mirë si aktualisht, mbase ndaj edhe vuajta disi.

Si është të punosh me Ibrën dhe Piolin?
Fantastike. Kujtoj çdo moment. Me Ibrën pata emocione që në stërvitjen e parë. E kisha parë në televizor dhe befas e kisha shok skuadre. Pioli është një njeri fantastik. Është trajneri i parë që kam pasur te Milani dhe më ka ndihmuar shumë.

Dukeni edhe më i përshtatur me grupin?
Patjetër që po. Vitin e kaluar me karantina e COVID nëpër këmbë nuk ishte e lehtë të afroheshim. Ajo periudhë e vështirë na bëri më të fortë dhe sot jemi një grup i bashkuar.

Do të na flisni pak për pasionin tuaj?
(qesh) Janë mozaikët tredimensionalë. Gjatë pandemisë nisa të merrem me lloj-lloj gjërash dhe ato ishin një pasion i lindur në atë kohë. Deri tani kam arritur të bëj një me përmasat e qenit tim.

Preferoni të ndërtoni një mozaik me përmasa “titulli” apo ndonjë trofe “veshgjatë”?
Të dyja nuk do ishte keq.

Cilat janë rivalet që u druheni më tepër në luftën për titull?
Ka shumë, aq më tepër që kampionati sapo ka filluar, ndaj edhe renditja nuk ka shumë vërtetësi brenda saj. Për mendimin tim, të shtatë ekipet e vendeve të para mund të konkurrojnë sepse çdo ndeshje mund të ketë një rezultat të papritur.

Çfarë pritshmërish keni për ndeshjen ndaj Portos?
Kemi dëshirë të fitojmë. Nuk më pëlqen të shoh Milanin me zero pikë në Champions. Nuk ka rëndësi nëse gabuam ne apo arbritrat. Mendimi i parë është që të mundim Porton sepse e pamë që me Atletikon për sa kohë ishim 11 kundër 11 nuk patëm probleme. Synojmë të përsëritemi e të mos e mbyllim në grupe rrugëtimin tonë në Champions.

Ju pëlqen t’ju thërrasin “Tonali monumentali”?
Sigurisht, por për mua është një pikënisje. Nuk kënaqem me pak..

Related posts

“TIFOZËT DUAN TË SHOHIN NJË GJERMANI QË “LUFTON” NË FUSHË”/ Mateus: Low mund të qëndrojë gjatë nëse…

Delo.autor

BARCELONA-GETAFE/ Sulmuesi Ramirez mposht portierin Ter Stegen me një “PERLË” (VIDEO)

Delo.autor

Aspas ia kalon edhe Raul, futet në historinë e Spanjës

Sadik.Autor

Leave a Comment