Futboll Sport

“JAM AMBJENTUAR NË KAZAKISTAN”/ Bitri: Partizani pa fat, ja çfarë i mungon ekipit

Në verë Partizani u përball me shumë largime senatorësh dhe një prej tyre ishte Eneo Bitri, i cili kishte formuar një dyshe solide me Belicën në qendër të mbrojtjes. 25- vjeçari prej muajsh është pjesë e Astanës në Kazakistan. Nga atje, Bitri ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”.

Fillimisht ai tregoi për aventurën e tij të parë jashtë vendit dhe ndryshimet me të cilat është përballur.

“Astana është eksperienca ime e parë jashtë Shqipërisë. Jam ambientuar shpejt me jetën këtu, më kanë pritur shumë mirë, të them të drejtën. Këtu e njohin vendin tonë sepse disa ekipe shqiptare kanë pasur përballë ekipe të Kazakistant në kompeticione europiane. Kohët e fundit këtu kanë nisur ta ndjekin shumë futbollin sepse ka disa qytete që e dashurojnë këtë sport.

Në Kazakistan, hokeji është një tjetër sport shumë i ndjekur. Astana është klub i ri, por ka luajtur në kompeticionet më të rëndësishme të futbollit europian. Infrastruktura? Ne stërvitemi dhe luajmë në stadiumin tonë (‘Astana Arena’, 30200 spektatorë)”, tha fillimisht beratasi.

AVENTURA E RE
Më pas, ai foli për diferencat në kulturë mes dy popujve dhe diferencat mes futbollit shqiptar dhe atij kazak. “Ndryshe nga ne shqiptarët, kazakët janë njerëz shumë të butë dhe të qetë. Gjithashtu, janë popull shumë mikpritës. Të them të drejtën e kam pasur të vështirë të ambientohem me futbollin këtu sepse ka ekipe, që nuk i kushtojnë rëndësi taktikës dhe është e vështirë t’ua kuptosh mënyrën sesi luajnë.

Futbolli shqiptar ka më shumë talente se ai kazak.

Ne jemi vend i vogël, por e duam shumë futbollin sepse e kemi diçka primare. Aktivizim i pakët në kampionat, ndryshe nga Kupa dhe Europa Liga? Kur erdha këtu, sapo kishte mbaruar faza e dytë e kampionatit dhe ishte një muaj e gjysmë pushim sepse luhej Kupa dhe ndeshjet e Europës. Qëlloi që unë luajta rregullisht në Kupë dhe Europë.

Pas asaj, u ktheva në Shqipëri për pushime dhe u infektova me COVID-19. Prej kësaj, kur u ktheva, qëndrova në stol dhe kjo vazhdoi tri ndeshje radhazi sepse rastisi që ekipi nuk pësonte gola dhe trajneri vendosi të mos e ndryshojë formacionin”, tha më tutje mbrojtësi.

PARTIZANI
Nuk mund të mungonte edhe një minianalizë e 25-vjeçarit për ish-klubin e tij, Partizanin. Ai tregon ndeshjet me të kuqtë, që kanë lënë gjurmë në mendjen e tij dhe çfarë i ka munguar Partizanit në këto javë të para të Superiores. Sipas tij, “demat” mund të kthehen në lojë dhe të garojnë për titullin.

“Ndeshjet e mia më të bukura kanë qenë sa herë kemi fituar derbin. Është gjithmonë dyfish kënaqësi të dalësh triumfues në atë betejë. Më e sikletshmja ka qenë ndeshja e sezonit të shkuar me Vllazninë, ku humbëm kampionatin. Është ndeshje që nuk e harroj kollaj (0-1, shënues Herald Marku me penallti). Kam ndjekur thuajse çdo ndeshje të Partizanit në këtë sezon.

Për mendimin tim, ekipit i ka munguar fati sepse kanë prodhuar futboll dhe statistikat e tregojnë këtë. Mendoj se është edhe çështje përqendrimi, asgjë më tepër. Partizani i ka kualitetet e duhura për të rikuperuar pikët e lëna sepse janë skuadër e fortë dhe me karakter.

Edhe mungesat kanë bërë që ekipi të mos jetë i plotë dhe e vuajnë bashkëpunimin sepse nuk kanë shumë kohë që luajnë bashkë.

TITULLI
“Në fund Bitri foli për garën për titullin dhe mundësitë e Partizanit. “Sapo ka nisur kampionati dhe është gjithçka e hapur. Kam besim se Partizani do të luftojë për vendin e parë sepse nuk i mungon asgjë për të përsëritur suksesin e pak viteve më parë. Ka shumë ekipe të forta këtë sezon.

Është kampionat interesant sepse janë disa skuadra, që kanë shpallur pretendimet për vendin e parë. Për këtë arsye, nuk mund të veçoj njërën prej tyre si më të fortën”, përfundoi Bitri.

Related posts

E BUJSHME/ Një “aviator” amerikan kërkon blerjen e Romës, ja vendimi i presidentit të klubit

Delo.autor

Bayern Munich gjen zëvendësuesin e Boateng: Bavarezët blejnë talentin holandez 

Isa.Autor

Ndeshja Real Madrid–Bayern Munich, e papritur çfarë ka bërë gjyqtari Çakir ende pa filluar ndeshja

Sadik.Autor

Leave a Comment