Futboll Sport

I DESTINUAR PËR TË TUNDUR RRJETËN/ Armando Broja, më efikas se Lukaku dhe Salah

Tifozëve të Çelsit që mendojnë se Armando Broja është gati për të luajtur në “Stamford Bridge”, mund t’u falet. Djaloshi i lindur në Slou ka shënuar 6 gola për Sauthemptonin, por ka nisur titullar vetëm 5 ndeshje.

Huazimi i tij në “St Mary’s” ka pasur ulje-ngritjet e tij. Fillimisht trajneri Ralf Hazenhytel e kritikoi për atë që e quajti një nisje të ngadaltë duke e lënë të dyshonte austriakun nëse Broja dëshironte vërtet të kishte një shans për të luajtur në Premier Ligë. Broja e gjeti veten në zyrën e trajnerit, ku pati një bisedë shumë serioze gjatë së cilës Hazenhytel i bëri me dije se çfarë pret prej tij. Nuk dihen në detaje bashkëbisedimi mes tyre, por e sigurt është se prej atij momenti sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka nisur të shijojë futbollin e tij.

Në fushë luan me qetësinë e një lojtari i cili duket sikur ka shumë vite mbi shpatulla, pikërisht stofi që i duhet një ditë për të qenë lideri i sulmit të një prej klubeve më të mëdha në botë, qoftë Çelsi apo diku tjetër. E themi ne? Jo, është diçka që e konfirmojnë shifrat:

Broja shënon çdo 4 goditje që bën (24%), një mesatare më e mirë se e shokëve të sulmit, Adams (14%) dhe Armstrong (15%), madje është edhe më e lartë sa disa prej më të mirëve të Premier Ligës: Salah (21%), Heung Min-Son (19%) dhe Romelu Lukaku (15%). Goli nga distanca kundër Kristal Palasit erdhi nga asgjëja, një gol që vetëm një lojtar plot vetëbesim do ta shënonte.

Çelsit nuk i mungonin ofertat për të huazuar talentin e sulmit kur u ulën për të analizuar skuadrën më të mirë të mundshme për shqiptarin gjatë verës. Por atyre nuk do t’u jetë dashur shumë për të vendosur gishtin te Sauthemptoni. Në qendrën stërvitore “Saplewood”, Broja ka mbështetjen e përditshme të shokëve të fëmijërisë, Dajnel Simeu dhe Tino Livramento, ndërsa ka krijuar miqësi të ngushtë edhe me Natan Telan dhe Jan Valerin. Por ishte reputacioni i Sauthemptonit për mënyrën se si i menaxhon talentet që e bindi Çelsin për ta formuar lojtarin në bregun jugor.

broja

Si çdo 20-vjeçar, i mbeten shumë aspekte të lojës së tij për t’i përmirësuar, por Tomas Tuhel është duke fërkuar duart dhe ëndërruar për kaosin që Broja i armatosur me cilësitë më të mira mund të shkaktojë në sulmin e tij që përbëhet nga Haverc, Lukaku dhe Verner. Problemi për “Shenjtorët” është se ata do të mbesin zemërthyer kur huazimi i tij në “St Mary’s” të përfundojë, në veçanti nëse ai vazhdon kështu, me të njëjtin nerv. Por, Broja duket se po shtron rrugën drejt Çelsit, gati për të shënuar gola në “Stamford Bridge”.

Related posts

SPEKTAKËL NË “SAN SIRO”/ “Zikaltërit” mposhtin me “POKER” Torinon, Lukaku “HERO” me dopietë

Delo.autor

Fyeu gjyqtarin, ish-futbollisti i Interit rrezikon 2 vite burg

Q.Autor

Cech drejt largimit, Arsenali ‘piketon’ Oblak-un e Atletico Madrid

Q.Autor

Leave a Comment