Futboll Kategoria Superiore Sport

ZBULON PRAPASKENAT TEK TIRANA/ Shehi: Herën e fundit që bëra sherr kërciti grushti

Orges Shehi është gjithnjë i gatshëm të flasë për mediat, por kurrë nuk zhbalancohet dhe mjeshtërisht arrin që shumicën e kohës të mos prodhojë lajm. Këtë herë është ndryshe, sepse pyetjet nuk kanë të bëjnë me skemat apo me kundërshtarët, por vetëm me atë. Donim të zbulonim anën tjetër të trajnerit që po kryeson kampionatin me Tiranën dhe befas mësojmë se ka nisur duhanin 42 vjeç, nuk di të gatuajë, i do ndihmësit kampionë dhe shokun e ngushtë e ka te një klub rival direkt për titullin. “Motoja ime është që të jesh i përulur kur triumfon dhe i kujdesshëm kur humbet”.

Sa orë gjumë keni fjetur pas derbit?
Pak fare. Dy orë. Merrja telefonata pa fund. Njerëz që më komplimentonin. Njerëz të lumtur. Por, pagjumësia ka nisur që kur kam marrë Tiranën, sepse këta 9 muaj janë shtuar disa thinja më shumë.

Sa mesazhe keni marrë?
Shumë, jashtëzakonisht shumë. Madje, tani po kuptoj se sa shumë tifozë ka Tirana dhe jam i befasuar.

A pini duhan ju?
Po, para ndeshjes dhe ditën e ndeshjes. Nuk kam pirë kurrë më parë, tani as vetë nuk e kuptoj pse pi.

A pini alkool?
Kur isha lojtar, edhe mund t’ia lejoja vetes ndonjë gotë pas ndeshjes. Tani fare. Nuk kam kohë, jam gjithnjë me mendjen te skuadra, te lojtarët dhe gjendja e tyre, te kundërshtari…

Çfarë ju bezdis më shumë gjatë një ndeshjeje?
Bezdisem kur luajmë pa tifozë dhe dëgjohet çdo fjalë nga tribuna. Ndonjëherë edhe të shpërqendrojnë, por për fat të mirë, unë kam dy ndihmës me të cilët konsultohem vazhdimisht. Madje, edhe atyre u kërkoj që të jenë sa më striktë në këshillat që më japin.

Që do të thotë?
Të mos më flasin gjithë kohës dhe të jenë të qartë e të vendosur në atë që më sugjerojnë.

Çfarë cilësie “të panegociueshme” duhet të kenë ndihmësit e Shehit?
Të zgjuar dhe me përvojë, por duhet të jenë kampionë.

Prandaj keni zgjedhur Fagun dhe Vangjelin?
Po, ata janë shumë të zotë dhe kanë fituar tituj. Është shumë e rëndësishme që trajneri dhe zëvendësit e tij të kenë fituar tituj.

Pse?
Sepse gjithçka është çështje mentaliteti. Kur ke staf që kanë fituar titullin, ata e transmetojnë këtë edhe në skuadër. Kjo është pak, por e sigurt.

Cila është fjala që përdorni më tepër?
Nuk kam një fjalë të veçantë, por kam një fjali që e përdor shpesh: Punojmë me kokën ulur, pa bujë, por me vendosmëri dhe me shumë personalitet.

Nëse Tirana juaj do të ishte makinë, çfarë marke do të ishte sipas jush?
Unë nuk jam qejfli makinash, por për mua e rëndësishme është që të mos e bësh një copë rrugë me shpejtësi dhe pastaj të rrezikosh finishin. Jo, unë dua udhëtim të sigurt, por të shkojmë siç duhet drejt objektivit. Mendoj që Tirana është një “Mercedes” ose një “BMW”. Makina të forta dhe me bazament.

Kush ju kritikon më shumë tani si trajner ndër shokët ose familjarët tuaj?
Nuk e çoj asnjëherë stresin e punës në shtëpi. Mendoj se kjo është një nga gjërat e mira që kam. Nëse do të ndodhte e kundërta, do të transmetoja shumë presion në familje dhe kjo nuk është e shëndetshme.

Cili është ushqimi i preferuar?
Kam luajtur një jetë futboll dhe tani pëlqej pastat ose fileto pule…

A këndoni ose vërshëlleni kur jeni vetëm ose kur jeni në dush?
Jo, asnjëherë.

Cili është momenti më i vështirë deri tani te Tirana?
Ishte koha kur sapo kisha marrë Tiranën dhe pas pak kohësh dola pozitiv me COVID. Humbëm me Kukësin dhe më pas humbëm edhe me Teutën. Ende nuk isha shëruar mirë dhe në ndeshjen me Vllazninë kam ndjekur nga distanca skuadrën i vetmuar për t’u thënë se isha aty. Për fat të mirë, fituam. Por, realisht ishte moment i vështirë.

Po më i bukuri?
Mendoj që ishte derbi i fituar të enjten. Jashtëzakonisht emocionuese.

A ka një klan “Skënderbeu” aty… Shehi, Osmani, Vangjeli?
Shikoni, te Skënderbeu ka pasur shumë lojtarë dhe mund të them se ajo skuadër kishte vërtet personalitet. Jua thashë, Vangjeli, Osmani dhe Fagu kanë fituar titullin. Ata e përcjellin këtë edhe në grup.

Cila është pjesa më e vështirë e të qenit trajner?
Ndoshta të menaxhosh situatat që krijohen në momente të ndryshme dhe këtu i referohem edhe pjesës së lojtarëve të stolit. Por, për fat të mirë, unë e di mirë se si ndihen ata. E kam përjetuar vetë, sepse kam qenë pothuajse 6 vite pjesë e Kombëtares dhe luajta vetëm 2 apo 3 ndeshje. E njoh atë ndjesi dhe përpiqem gjithnjë të flas hapur dhe me sinqeritet gjithnjë me të pakënaqurit.

Çfarë muzike dëgjoni?
Çdo lloj rryme muzikore, përveç muzikës së fortë. Parapëlqej më tepër muzikën e qetë.

Kush është shoku më i mirë në sport?
Unë kam shumë shokë të mirë, sepse kur e bëj dikë shok, luftoj me sa të mundem që të mos e humbas atë. Por, nëse doni një emër, atëherë po ju them Renato Arapin, me të cilin kam ndarë shtëpinë në Korçë për 5 vite.

Kur keni bërë sherr për herë të fundit me dikë fizikisht?
Në Beograd, kur isha me Kombëtaren. Dola nga vetja dhe kërciti grushti… (qesh).

A gënjeheni lehtë?
Jo, por bëj sikur besoj. Njerëzit e sportit i njoh mirë dhe e kuptoj fare lehtë kur nuk po më thonë të vërtetën.

Related posts

U KONSIDERUA SI NJË TALENT TEK INTER/ Yli Esposito nuk gjen vend as tek skuadrat e Serie B, “Zikaltërit marrin vendimin

Delo.autor

KJO NUK PRITEJ/ ZIDANE zbulon klubin e ri që do të drejtoi, NUK është Man United

Isa.Autor

Tifozët e Real Madridit dalin kundër emërimit të trajnerit italian në krye të “galaktikëve”

Sadik.Autor

Leave a Comment