Futboll Sport

NDESHJA NDAJ KAMERUNIT/ Shfryn Dani Alvesh: Për Brazilin bëj edhe… muzikantin!

Daniel Alvesh do të bëjë debutimin e tij në këtë Kupë Bote, por mbrojtësi i djathtë 39- vjeçar, i cili do të vendosë edhe rekordin e futbollistit më të moshuar në historinë e Brazilit që luan në një kompeticion si ky (kalon Tiago Silvën), ka shumë për të shfryrë, duke qenë se grumbullimi i tij u shoqërua me një lumë kritikash.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe premtoj se do të jap maksimumin për këtë fanellë, siç kam bërë gjithmonë. Do të isha edhe më i lumtur, nëse do të kisha parë edhe pak dashamirësi përreth meje, por mesa duket në çdo edicion të Kupës së Botës duhet bërë gjithmonë njëri “kokë turku”.

Këtë herë më rastisi mua, por ajo që unë di të them është se për kombëtaren e vendit tim, për të qenë pjesë e këtij Botërori, do të bëja gjithçka. Edhe sikur të më kërkohej të bëja muzikantin, bateristin e kombëtares, premtoj se do të jem bateristi më i mirë i ‘Seleçaos’”.

Daniel Alvesh sot do të barazojë gjithashtu edhe Roberto Karlosin me 125 prezenca në përfaqësuese, duke u bërë i dyti me më shumë prezenca (i pakapshëm Kafu me 142 ndeshje).

“Për mua historikisht nuk ka pasur rëndësi nëse bëhej fjalë për një turne të veçantë si ky, për një miqësore apo për Kupën e Amerikës.

Të përfaqësoj vendin, kombin tim është diçka që më bën të ndihem krenar. Dhe ta mbyllja ciklin tim duke luajtur në një Kupë Bote është gjëja që më bën më të lumtur se çdo gjë tjetër.

Dikush mund të mendojë ndryshe, por unë kam ardhur në këtë Botëror me një mision të qartë, të jap maksimumin tim për skuadrën.

Në dy ndeshjet që nuk luajta, skuadra kishte nevojë për një mbrojtës, ndërsa unë jam më tepër një lojtar i prapavijës me tipare sulmuese, ndonëse siç e thashë, jam gati që të bëj çfarëdo roli, çfarëdo gjëje që i nevojitet kombëtares sime.

Më jepni një mision, një urdhër dhe unë do ta zbatoj.

Tite mori shumë akuza për grumbullimin tim?

Unë di të them se nëse do të isha pjesë e Barcelonës, qoftë edhe në moshën 39-vjeçare, jam i sigurt se ky debat as që do të ekzistonte.

Duke qenë se unë jam edhe pa skuadër, ndërsa lojtarë të tjerë luajnë ndër klubet më të mëdha të Europës, por nuk janë pjesë e kombëtares, bën që dikush të hapë një fushatë kundër meje, por tani më takon mua që t’i vërtetoj të kundërtën.

Ndoshta, shumë persona mendojnë se në moshën time, nuk kam edhe një gjendje fizike të mirë, pasi kam disa kohë pa luajtur edhe në një klub.

Por ajo që unë di të them është se në një Botëror, një skuadër ecën përpara nëse i gjithë grupi është në formë.

Unë garantoj se kam të njëjtin ritëm fizik si pjesa tjetër e ekipit dhe mund t’i përballoj në mënyrë perfekte edhe 5 ndeshjet e fundit që na ndajnë nga finalja.

Kjo është ajo që kam bërë që prej vitit 2003 e deri më sot, prandaj mendoj se jam edhe në këtë Botëror pjesë e Brazilit”, u shpreh Daniel Alvesh.

Related posts

PROBLEME PËR REAL MADRID/ zbulohet kërkesa që Sergio Ramos u ka bërë shokëve të skuadrës

Delo.autor

Real Madridi futet në garë për mesfushorin e Liverpoolit

Q.Autor

POLEMIKAT PËR NË STOLIN E GJERMANISË/ Liverpool vendos të ardhmen e Klopp

Delo.autor

Leave a Comment