Nesër pasdite, Rafael Leao do të shkojë në “Casa Milan” për të nënshkruar rinovimin e kontratës. Pas një telenovele disa mujore, më në fund ka “tym të bardhë”.
Marrëveshja është për gjithçka dhe sulmuesi portugez do të nënshkruajë zgjatjen 5-vjeçare, deri në qershor 2028, me një pagë 5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse. Klauzola e tij e lirimit është 175 milionë euro.
Ndaj pritet zyrtarizimi i rinovimit të numrit 17 para ndeshjes së të dielës në mbrëmje kundër Juventusit, një inkurajim i rëndësishëm për sezonin dhe mbi të gjitha për të ardhmen e Milanit.
Në fakt, me tri pikë ndaj bardhezinjve, kualifikimi në Champions League e ardhshme do të vulosej dhe kuqezinjtë do të mund të fillojnë të planifikojnë blerjet për sezonin e ardhshëm.
Pas dështimit të verës së kaluar, fushata e ardhshme e nënshkrimeve nuk mund të shkojë keq, edhe sepse midis transferimeve, pagave të kursyera dhe të ardhurave nga kualifikimi në Champions League, në dispozicion të Maldinit dhe Massara duhet të jenë rreth 100 milionë euro.
Skenari është ende në zhvillim, por për të vazhduar procesin e tij të rritjes, Milani do të jetë në gjendje të shfrytëzojë avantazhin që ka në vijën startuese. Do të jetë një merkato vërtet sfiduese, kuqezinjtë janë në kërkim të një zëvendësuesi për Theo, të paktën një mbrojtësi qendror, një mesfushori, një krahu të djathtë, një mesfushor-sulmues dhe dy qendërsulmuesve.