Shqipëria është gati të nisë aventurën e saj në Nations League, me sfidën e parë atë ndaj Ukrainës, që do të luhet në Pragë. Me kujtimin e bukur për atë se çfarë dhuroi ekipi ynë kombëtar, në Euro 2024 në Gjermani, tashmë rikthehemi sërish në fushë, këtë herë me objektivin për të bërë mirë, e pse jo për të dal të parët në grup, në Nations League.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, një ditë përpara sfidës, ishin prezentë trajneri Sylvinho si dhe mesfushori Ylber Ramadani.
Për Sylvinhon ndeshja ndaj Ukrainës është shumë e rëndësishme, por ai ndau fillimisht një shqetësim lidhur me gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion si dhe foli edhe për mungesat e rëndësishme që ekipi ynë do të ketë në këtë sfidë:
“Në Varshavë, në ndeshjen e parë kur morëm ekipin, humbëm Ismajlin e Gjimshitin, tani humbëm Gjimshitin e Ajetin. Folëm edhe për lojtarët që kanë kaluar pak ditë pushimi. Kombëtarja është e hapur, një mundësi për të gjithë, të shkohet në fushë dhe të bëhet më e mira. Nuk janë 25 lojtarë. Unë marr 23-24, por lë në shtëpi 10-12. Është kështu, kjo është puna e Kombëtares”
Ndërkohë ndeshjen ndaj Ukrainës e komentoi edhe mesfushori Ylber Ramadani, i cili shfaqi besim se skuadra mund të marrë rezultat pozitiv: “Atmosfera e ekipit është fantastike, jemi shumë të përqëndruar. Nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë. Atmosfera e grupit është e mirë. Jemi gati, e kemi studiuar Ukrainën, e dimë pikën e fortë. Shpresoj që nesër të marrim rezultat pozitiv.
Sfida Ukrainë-Shqipëri do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje në ora 20:45, në Pragë.
