Pak orë para gjysmëfinales spektakolare të Botërorit 2026 mes Francës dhe Spanjës, parashikimet për fituesin mbeten të hapura. “Gjelat” janë shfaqur si një nga skuadrat më të rrezikshme në fazën sulmuese të turneut, ndërsa Spanja ka spikatur veçanërisht për organizimin dhe forcën e saj në mbrojtje.
Një person që e njeh mirë trajnerin e Francës, Didier Deschamps, është Fernando Morientes. Ish-sulmuesi spanjoll, i cili ka punuar me Deschamps te Monaco, analizoi mënyrën e tij të drejtimit në emisionin “Especial Mundial” të “Cadena COPE”.
Sipas Morientes, skuadrat e Deschamps karakterizohen nga një kërkesë e jashtëzakonshme fizike.
“Është një trajner që i pëlqen forca fizike. Unë kurrë nuk kisha punuar siç punova me Deschamps”, u shpreh ish-sulmuesi.
Ai shpjegoi se tekniku francez preferon futbollistë të fuqishëm dhe dominues në duele.
“Atij i pëlqejnë lojtarët e mëdhenj, të fortë fizikisht, që futen në duele dhe imponojnë respekt”, tha Morientes, duke marrë si shembull mesfushorin Aurélien Tchouaméni.
Sa i përket përballjes me Spanjën, Morientes beson se Deschamps nuk do të ketë problem t’i përshtatet kundërshtarit dhe mund të zgjedhë t’ia lërë kontrollin e topit skuadrës së Luis de la Fuente.
“Deschamps nuk ka asnjë problem të veprojë sipas realitetit. Dhe realiteti është që Spanja është më e mirë se Franca me topin. Le t’ua japë topin. Atij i përshtatet që Spanja të ketë posedimin”, deklaroi ai.
Sipas Morientes, ideja e Francës do të jetë të shfrytëzojë hapësirat pas mbrojtjes spanjolle.
“Loja e tyre do të jetë të vrapojnë në hapësira”, shtoi ish-futbollisti i Real Madridit.
Në fund, Morientes zbuloi edhe se Deschamps mund të përdorë deklaratat e Lamine Yamal dhe ish-kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për të motivuar lojtarët e tij para sfidës.
“Pa dyshim që do ta përdorë. Tashmë po e imagjinoj fjalimin e tij”, përfundoi Morientes.
