Emery iu nënshtrua një “pagëzimi zjarri” në javën e tij të parë në Premier League, duke u përballur me kampionët në “Emirates”, të dielën. “Topçinjtë” humbën 2-0 përballë “qytetarëve” të Pep Guardiolës, ndërsa ky rezultat mund të kishte qenë më i thellë në favor të vizitorëve, të cilët dominuan gjatë gjithë lojës.
I njohur mirë për lojën e tij të lartë, Manchester City diktoi në gjithçka ndaj Arsenalit, teksa Allardyce ia ka hedhur fajin trajnerit Emery. “Është faji i trajnerit, – tha ish-shefi i Anglisë për Talksport. – Mos pyesni dikë që të bëjë kundër Manchester City atë që nuk duhet të bëni.
Çfarë bën Manchester City? Të shtyp, të shtyp, të shtyp, prandaj pse provoni të luani nga prapa? Ne jemi duke u fiksuar me këto budallallëqe. Është kotësi e plotë për të luajtur kështu gjatë gjithë kohës”.
