Kur duhen edhe pak orë që pazari i futbollistëve në Itali të mbyllet, Juventusi realizon një tjetër goditje. Bardhezinjtë pasi arritën t’i rezistonin ofertave të Real Madridit, zyrtarisht do të blindojnë yllin e ekipit Miralem Pjanic.
Truri i bardhezinjve, i konsideruar i paprekshëm nga trajneri Massimiliano Allegri pritet që ta zgjasë kontratën e tij nga viti 2021 në 2022. Por nisur nga paraqitjet e tij shumë të mira, boshnjaku do të ketë rritje rroge.
Aktualisht mesfushori paguhet 4.5 milionë euro, ndërkohë që rroga e re do të jetë 7 milionë euro në një sezon. Me këtë shifër ai do të barazohet me Paolo Dybala-n sa i përket pagesës, ndërkohë që të dy janë pas të paarritshmit Cristiano Ronaldo, që është i pari në listën e më të paguarve te “Zonja e Vjetër”.
Ndërkohë në Spanjë vazhdojnë të shkruajnë se Juvja nuk ka hequr dorë nga blerja e Marcelo-s. Braziliani bëri një gabim në finalen e djeshme të Superkupës së Evropës kundër Atletico-s të humbur 4-2.
Sipas spanjolles “AS”, Marcelo e ka humbur vëmendjen për shkak të zërave të merkatos. Ai dëshiron që të bashkohet me mikun e tij Cristiano Ronaldo te Juvja, por vështirë që kjo të ndodhë. Drejtuesit bardhezinj refuzuan ofertën prej 60 milionë erusoh nga PSG për Alex Sandro-n, e kjo do të thotë se për Marcelo-n nuk ka hapësira në ekip.