Teuta tashmë nis të ëndërrojë për Europën, falë fitores tronditëse ndaj Tiranës. “Djemtë e detit” u shpëtuan nga heroizmi i mbrojtësit Ditmar Bicaj dhe vendosmërisë së portierit Isli Hidi, që nuk e la Tiranën të largohej me pikë nga Shijaku.
Pavarësisht se bregdetarët nuk zhvilluan një lojë premtuese duke u dhënë shumë raste për gol bardhebluve, për teknikun Bledi Shkëmbi, eksperienca bëri detyrën sot në fushë. Ai nuk e priste të fitonte.
“Mënyra si po luanim nuk është se besoja shumë te fitorja. Të paktën, shpresoja të shënonim një gol. Ishte meritë e lojtarëve. Por edhe e Islit që na shpëtoi 2-3 raste.
Po bëjmë një lojë të mirë në mbrojtje, por ishim të shpërqëndruar ndoshta për shkak të lojës. Ndoshta lojtarët nuk arrijnë dot ritmin gjatë ndeshjes.
Ndoshta e filluam mirë, pastaj shumë dobët. Ndoshta ishte shpërqëndrim. Ndikoi dhe goli. Gabuam edhe tek pasimet e thjeshta. Të fitosh ndeshjet në këtë mënyrë si luajtëm sot është gjë e madhe.
Bicaj jo në lartësinë e duhur? Ishte presioni, ndoshta dëshira për të fituar. Gabuan lojtarët me eksperiencë, por ishin ata që fituan ndeshjen dhe na kthyen besimin”, u shpreh për Supersport Shkëmbi.