Antoine Griezmann përsëriti dashurinë për Atletico Madridin, pasi shënoi golin e tij të 20-të në Champions për klubin, në fitoren 2-0 ndaj Borussia Dortmundit. Skuadra e Diego Simeone u plandos 4-0 nga Dortmundi në ndeshjen e tretë të grupit, por u kthye në formë në “Wanda Metropolitano”, të martën.
Saul Niguez zhbllokoi rezultatin në minutën e 33-të, para se Griezmann të dyfishojë dhe vulosë suksesin e të tijve. Sulmuesi francez, i cili publikisht hodhi poshtë një lëvizje te Barcelona në verë, për të nënshkruar një marrëveshje të re me Atletico Madridin, tregoi adhurimin e tij për klubin ku ka luajtur që nga viti 2014.
“Mbrëmje si kjo tregojnë qartë pse e dua dhe pse jam aq i kënaqur për të luajtur në këtë klub, – tha Griezmann për “UEFA.com”. – Ne me të vërtetë donim t’i jepnim një kundërpërgjigje kundërshtarit, pasi na mundi në Gjermani. Mësuam nga gabimet dhe dhamë një imazh shumë më të mirë para tifozëve tanë. Ne kemi pasur lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar dhe skuadra ka reaguar, ashtu siç bën gjithmonë”.