Futboll Seria A Sport

AVENTURA E TIJ TEK NAPOLI/ Ancelotti: Cilësia e ekipit është e lartë, duke ndryshuar…

Carlo Ancelotti është bërë napoletan, eliminimi nga Champions League nuk e ka lënduar shumë dhe e ardhmja duket mjaft pozitive. Trajneri i famshëm, i ftuar në emisionin “Tiki Taka – Il calcio è il nostro gioco”, në Italia 1, ka folur për aventurën e tij në Napoli, aty ku ka shpresa dhe synime të mëdha.

ROTACIONI – “E kam bërë deri në ndeshjen e fundit, sepse lidhej me ndeshjet në Champions League. Cilësia e ekipit është e lartë dhe duke ndryshuar lojtarët rendimenti nuk pëson rënie”.

JUVE DHE RONALDO – “Si motivohet ekipi? Nuk duhet të përqendrohemi tek ajo që mund të realizohet, por tek ajo që mund të bëjnë të tjerët. Duhet kërkuar të kalosh limitet e tua, për t’u përmirësuar gjithnjë. Cristiano Ronaldo? E takova kur luajtëm kundër Juves, më duket Ronaldo i zakonshëm, gjithnjë i vendosur dhe i motivuar, nuk besoj se ka ndryshuar që nga koha kur e kam drejtuar unë. Mbetet futbollist klasi, që bën diferencën”.

VAR – “Është një teknologji që duhet përmirësuar, por që i shërben futbollit. Si çdo inovacion, në fillim ka ndonjë pasiguri, por jemi në rrugën e duhur”.

NAPOLI – “Është një qytet unik, panorama dhe klima janë të jashtëzakonshme dhe napolitanët dinë të jetojnë mirë, edhe mes vështirësive e problemeve. Kanë shumë pasion dhe nuk i marrin gjërat me seriozitet të tepruar. Do më pëlqente të këndoja ‘O surdato nnamurato’ në San Paolo pas një fitoreje. De Laurentiis më ka kërkuar të bëj maksimumin për ta mbajtur këtë klub në nivele të larta, siç ka qenë para se të vija unë. Diskriminimi ndaj jugorëve në Itali? Po bëhet një punë e mirë, janë hedhur hapa të mëdhenj përpara. Në Bergamo, për shembull, ishte një ambient shumë pozitiv, tifozët treguan respekt. Natyrisht, duhet të përmirësohemi në nivel edukate në stadiume”.

CAVANI – “Milik është shumë i ri dhe vjen nga dy vite plot dëmtime, nuk duhet harruar. Në fillim ka pasur luhatje, tani po gjen vazhdimësi. Kjo vlen edhe për Mertens e Insigne. Është paradoksale që të flitet për Cavani-n, i cili është një idhull në Napoli, në një kohë që sulmuesit tanë kanë shënuar lumë golash”.

INTER DHE GATTUSO – “Kur isha i vogël kisha simpati për Interin, por më pas gjithçka u zbeh apo u fshi nga vitet që kalova te Milani. Interi ka një klub solid, që ka dëshirë të investojë dhe të kthehet në nivele të larta. Është thjesht çështje kohe. Gattuso? Ka bërë gjëra të mira deri tani, e ka ringritur skuadrën, duke e marrë në një moment të vështirë. Milani ka ambicie të mëdha, por duhet durim dhe merkato cilësore. Ibra? Më duket se ishte vendimi i tij për të qëndruar në Amerikë”.

EUROPA LEAGUE – “E vlerësojmë shumë, duam të shkojmë deri në fund, duke qenë se nuk ia dolëm në Champions. Këto vitet e fundit Europa League është fituar nga klube elite si Atletico Madrid, Chelsea e Manchester United, ndaj është një mundësi që kemi për të qëndruar në grupin e më të mirëve në Europë”.

Related posts

E PAPRITUR/ BAYERN pranë akordit me “yllin” e ARSENALIT, dështon MILANI

Isa.Autor

KËRKOHET NGA SHUMË KLUBE TË MËDHA/ Rashica nis bisedimet dhe mund të përfundojë te skuadra italiane

Delo.autor

ARRITI SUKSESIN NDAJ KILIT NË “COPA AMERICA”/ Tabarez paralajmëron Uruguain për çerekfinalen

Delo.autor

Leave a Comment