Dy fitoret e fundit radhazi në kampionatin spanjoll duket se kanë kthyer në trajektoren e duhur kampionin e Europës, Real Madrid. Pas një serie ndeshjesh ku skuadra mbretërore vuante të gjente golin, dy sfidat fundit të La Ligas me Deportivo La Corunan dhe Valencian kanë krijuar iluzionin se te ekipi i Zidane furtuna është e larguar.
Pavarësisht daljes shokuese nga Kupa e Mbretit dhe diferenca e frikshme me Barcelonën me 19 pikë, zhbllokimi i skuadrës në gola mund të jetë një sinjal pozitiv në vigjilje të supersfidës së Champions League kundër PSG-së në 14 shkurt për fazën e 1/8-ave.
E përditshmja sportive spanjolle pranë skuadrës “Los Blancos” “Marca” ka publikuar disa statistika të konvertimit të rasteve në gola. Shifrat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm në saktësinë përpara portës në dy ndeshjet e fundit të madrilenëve: 50% raporti gola për raste në ndeshjen me Deportivo La Coruna dhe 57% kundër Valencias. Përpara këtyre ndeshjeve, raporti ishte nën 50% ҫka dëshmonte krizën në fazën sulmuese të Real Madridit.
Një lajm i mirë është se në sfidat ku Reali ka shënuar 11 gola, pjesë e listës së golashënuesve kanë qenë dhe lojtarët e mesfushës dhe mbrojtjes (kujtojmë Nachody gola, Kroos një, Marcelo një dhe një nga Modric) përveç dyshes Ronaldo-Bale. Në “Santiago Bernabeu” të gjithë luten për ringjalljen e skuadrës kampione të dyfishtë të Europës dhe Spanjës, ku performanca aktuale e skuadrës së drejtuar nga Zidane renditet ndër më të dobëtat e 20 viteve të fundit./EDS/
