Të rritet shpërblimi për kampionen dhe të jepen premio për skuadrat e tjera të kampionatit deri në vendin e tetë në klasifikimin përfundimtar, ndërsa Superkupa e Shqipërisë të luhet me dy ndeshje në dhjetor ose janar. Këto, por jo vetëm, janë disa nga propozimet e Ligës për sezonin 2019-2020.
Në mbledhjen e fundit që Komisioni i Garave ka zhvilluar janë hartuar disa propozime, të cilat tashmë presin OK-in e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, që do të mblidhet të premten. Mësohen disa nga propozimet që pritet të shqyrtohen.
SHPËRBLIMET – Që prej vitit 2008, FSHF ka miratuar që skuadra kampione të marrë një shumë prej 100 milionë lekësh të vjetër. Sipas Komisionit të Garave, ky shpërblim është shumë pak, duke u bazuar tek investimi që bën brenda një sezoni klubi që shpallet kampion i Kategorisë Superiore.
1. Kësisoj, kërkesa e parë është që shpërblimi për fituesin të rritet, duke u miratuar brenda këtij viti.
2. Të zbatohet një sistem i ri shpërblimesh për të nxitur garën dhe për të ruajtur integritetin e saj deri në fund. Skuadrat nga vendi i dytë deri në vendin e tetë të Superiores të meritojnë një shpërblim në fund të kampionatit. Vlerën e shpërblimeve ta përcaktojë renditja. Ky fond për shpërblimet e skuadrave nga vendi i dytë deri në të tetin të grumbullohet nga gjobat disiplinore që klubet marrin gjatë sezonit, si dhe nga një fond regjistrimi i përcaktuar për t’u rishpërndarë në fund.
SUPERKUPA – Komisioni i Garave kërkon që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së të rrisë vlerën e trofeut të Superkupës së Shqipërisë për të mos e lënë atë thjesht si një finale simbolike, pa asnjë përfitim nga klubet.
1. Për të rritur vlerën e këtij trofeu dhe mbi të gjitha shikueshmërinë, Superkupa të zhvillohet me dy takime, me sistem vajtje-ardhje. Gjithashtu, emri i trofeut të sponsorizohet dhe në fund një vlerë e caktuar t’i kalojë klubit që shpallet fitues.
2. Finalja ose dy ndeshjet me sistem vajtje-ardhje në Superkupën e Shqipërisë të zhvillohen në muajt dhjetor ose janar, pasi shikueshmëria në këtë periudhë është më e lartë se në muajin gusht.