Futboll Kategoria Superiore Sport

“DIKTATORËT” E DY DEKADAVE/ Tirana-Skënderbeu do të jetë një duel… shahu

Në dy dekadat e fundit e kanë bërë ligjin dy skuadra. Deri në 2010-ën ishte Tirana ajo që diktonte kampionatin dhe 5 tituj (nga 2001- 2010) janë dëshmia më e mirë. Fitonte trofe, shkëlqente në fushë dhe natyrisht kritikohej më shumë nga të gjithë. Më pas doli në skenë Skënderbeu, që mori 7 tituj nga 2011-ta e deri në 2019-ën.

Rrugëtimin e nisin mes polemikave, por më vonë u kthyen në superfuqi. Merrnin sistematikisht më të mirët çdo sezon, fitonin, ngjallnin xhelozi, por ndryshe nga e kaluara nisën një cikël. Dominuan në fushë, bënë histori në Europë dhe në fund një rënie fatale. Ndoshta e paralajmëruar.

Po sot, si është kjo sfidë? E pambarimtë, pa dyshim… Skënderbeu i Ilir Dajës nuk është asnjëherë “klient” komod, qoftë edhe për Tiranën e frikshme të këtyre javëve. Jo sepse korçarët kanë cilësi më tepër, por mbeten të palexueshëm. Humbin me të voglat, por u bëjnë dëm të mëdhave. Shikoni ndeshjen e fundit në Korçë, kur iu imponuan bardhebluve me rezultatin 2-1, apo edhe Partizanit 3- 2.

Një nga pikat më të forta mbetet trajneri i tyre. Ilir Daja jo vetëm që e njeh mirë Tiranën, por është edhe një nga më të zotët në kampionatin shqiptar. I studion rivalët, ka durim e autoritet të punojë me të rinjtë dhe di të ndryshojë ekipin brenda ndeshjes. Një ndër të paktët strategë të trajningut.

Po Emanuel Egbo? Një surprizë e bukur e këtij sezoni. “Kamerdarja e shpëtimit” për bardheblutë, po rezulton një trajner i zoti. Rastësi është të bësh dy fitore radhazi, jo 9… (kampionat dhe Kupë). Skënderbeu është një provë serioze për Tiranën. Vlen shumë rezultati, por mbi të gjitha sjellja e skuadrës. Bardhebluve u ka ardhur koha që të tregojnë se janë një ekip i pjekur dhe përballojnë presionin që vjen natyrshëm pas një serie fitoresh.

tirana skenderbeu

Të ndeshesh me dëshirën për “hakmarrje” të Asion Dajës dhe Eni Imamit apo egon e pashtershme të një trajneri fitues si Ilir Daja, nuk është fort e rehatshme për askënd. Nuk është asnjëherë e lehtë të neutralizosh të rinj të talentuar si Gripshi dhe Bregu dhe as të kalosh Koliçin.

Por kur vendosesh në pozitat e favoritit më “F” të madhe, atëherë duhet të kalosh pengesa si këto për të shkuar te titulli. Skënderbeu nga ana tjetër nuk e ka humbur dëshirën për protagonizëm. Natyrisht, renditja nuk i garanton se do të shmangë “play-off”-in në fund dhe ky është një motiv për të mos i falur asgjë Tiranës.

Kanë ende shansin ta sigurojnë Europën prej kampionatit dhe ndonëse nuk do të luajnë, zbresin 1 tjetër vit pezullim nga dënimi 10-vjeçar që u ka dhënë UEFA (3 i kanë hequr zyrtarisht). Kanë shansin t’i tregojnë Vangjelit se titulli kalon ende nga Korça, përtej faktit që në dy vitet e fundit ekipe kryeqytetase kanë marrë protagonizmin. Tirana është favorite, por me Dajën është gjithmonë një lojë shahu…

Related posts

Igli Tare tregon se Lazio ka refuzuar 70 milionë euro për objektivin e Juves, Unitedit e PSG-së (FOTO)

Q.Autor

E TRISHTË/ Ndërron jetë mundësi japonez pas lëndimit të tmerrshëm në ring

Delo.autor

Dy mesfushorët shqiptarë titullarë, Vejle e Sormanit bën start fantastik në Superligën e Danimarkës

Sadik.Autor

Leave a Comment