Pas tre javësh pa parë fytyrat e njëri-tjetrit, skuadra e parë e Real Madrid është “ribashkuar” këtë të premte. Ashtu si pjesa tjetër e spanjollëve, që kanë dashur të kenë biseda në grup nga karantina, duhej të vinte një video-telefonatë e shumëfishtë, me propozimin e trajnerit, Zinedine Zidane, i cili dëshironte të inkurajonte lojtarët e tij në këtë kohë pandemie globale.
Kësisoji, francezi tregoi interes personal për të gjithë me këtë iniciativë. Nuk ka vend për taktika, vetëm për anën njerëzore dhe motivuese. Tekniku i ka pyetur lojtarët e tij për disponimin fizik, shëndetin dhe familjen, përveç dërgimit të një mesazhi uniteti për grupin që, ashtu si skuadrat e tjera, ka shkuar nga të jetuarit së bashku çdo ditë për të mos u parë dhe stërvitur në tri javët e fundit.
Në ekran ka dalë një mozaik plot me fytyra, i cili, siç mund ta imagjinoni, ka krijuar zhurmë dhe të qeshura, ndërsa përshëndetjet shumëfishoheshin kur filloi video-telefonata. Një “meeting” që me siguri ka ndihmuar në ndriçimin e pasdites për anëtarët e skuadrës së parë, një aktivitet ndryshe, pas 22 ditësh izolim të enjten, prej 12 marsit.
Zidane, i cili tashmë njihet si trajner i mesazheve të thjeshta dhe të drejtpërdrejta, ka dashur të insistojë dhe të forcojë idenë e grupit, pavarësisht situatës që po përjetojnë. Mesazhet e unitetit dhe inkurajimit kanë qenë linja e fjalimit të trajnerit, i cili me buzëqeshjen dhe qetësinë e tij klasike ka uruar shëndet për të gjithë grupin dhe familjet e tyre.
Pa datë rikthimi në stërvitje dhe aktivitetin e përditshëm, stafi trajnues i Real Madridit mban kontakte të përditshme online me lojtarët. Ato udhëzohen për planet e përditshme të stërvitjes dhe vaktit ushqimor. Shumica e lojtarëve janë duke i përmbushur planet.
Mjaft prej tyre kanë trajnerët personalë fizikë, me të cilët plotësojnë punën individualisht, e regjistrojnë veten dhe e tregojnë atë në rrjetet sociale, dëshmi se po e ruajnë formën fizike. Por, Zidane, gjithashtu i shqetësuar për gjendjen shpirtërore, ka dashur t’i karikojë të tijtë në kushtet e karantinës, me të ardhmen e pasigurt.