Futboll La Liga Sport

“KËTU S’KA MOLLË TË KALBURA”/ Modric: Reali fiton edhe pa të, si e fitova vendin titullar

Nëse ka një mënyrë më të mirë për t’u hakmarrë ndaj kritikëve, duhet të pyesni Luka Modriçin. Kroati përjetoi një rini të dytë në këtë sezon me Realin e Madridit duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm që kontribuoi për fitoren e titullit kampion në Spanjë. Në një intervistë për mediat kroate, veterani tregon sekretin e këtij grupi, bindjen që do të fitonin edhe pa Kristiano Ronaldon në skuadër dhe planet e së ardhmes. Dëshiron që ta mbyllë karrierën në Madrid, por thotë se në futboll kurrë nuk i dihet. Ai këshillon Eden Hazardin që të jetë i qetë dhe të marrë kohën e duhur për t’u rikthyer në formë, sepse diçka e tillë i ndodh çdo lojtari që ndryshon skuadër dhe vjen te Reali.

TITULLI I DYTË – “Duhet të kishim fituar më shumë kampionate në vitet e fundit sepse kemi zhvilluar sezone shumë të mira, por gjërat kanë shkuar si kanë shkuar dhe duhet të shohim përpara dhe të mendojmë për të ardhmen. Është trofeu im i 16-të me Realin, mes tyre edhe 4 Champions, por ky titull më shijoi shumë”.

DOMINIMI – “Për të qenë i sinqertë nuk u surprizova nga mënyra se si luajtëm. Gjatë kohës që të gjithë ishim në izolim u stërvitëm maksimalisht. Kam pasur kontakte me shokët e skuadrës dhe kuptova që të gjithë po punonin me motivim ekstra. Futbollistët donin që të riktheheshin në futboll dhe të harronin ato që po ndodhnin. Kur u rikthyem në stërvitje, kuptuam që na kishin munguar takimet”.

SERXHO RAMOS – “E quaj vëlla. Serxho Ramos është një fenomen. Unë e them këtë sepse luajmë bashkë prej tetë vitesh dhe kemi krijuar një raport special. Kalojmë shumë kohë me familjet tona, shkojmë me pushime bashkë dhe kemi pasur eksperienca të jashtëzakonshme brenda dhe jashtë fushës. Ramos është një bishë 34-vjeçare, një mbrojtës i nivelit të lartë, kompetitiv dhe i fortë. Kur e shoh në fushë, ka gjithmonë ankth dhe dëshirë për të fituar. Është lideri i skuadrës dhe mbrojtësi më i mirë në botë”.

HAZARD – “Eden është një lojtar i madh. U argëtova kur e shikoja te Çelsi duke luajtur. Por, nuk ka pasur shumë fat që nga momenti që ka ardhur te Reali. Unë kam kaluar të njëjtat etapa kur erdha te Reali i Madridit dhe kisha nevojë për t’u përshtatur. Kualiteti që ka ai është i jashtëzakonshëm, por duhet thjesht të jetë në formë. Shpresojmë që të jetë në formë për ndeshjen në Champions kundër Sitit. Do të ishte diçka e mirë, por më e rëndësishmja është që të jetë në formë për fillimin e sezonit të ri”.luka modric

BENZEMA – “Karim është një sulmues i madh dhe të luash me të është kënaqësi. Mënyra se si e kupton ai futbollin, lëvizjet, largimi nga mbrojtja kundërshtare e bëjnë një sulmues special. Benzema ka bërë gjithmonë një punë të madhe për ekipin dhe gëzohem që tani ka arritur t’i marrë frytet e kësaj pune. Është një lojtar klasi”.

LARGIMI I CR7 – “Nuk ia vlen të diskutosh faktin që Kristiano Ronaldo ka bërë diçka të madhe dhe historike te Reali i Madridit, por duhet të themi se ishim të motivuar dhe të karikuar në maksimum për të fituar trofe edhe pa të në fushë. Ishim të bindur që do të vazhdonim të fitonim”.

ZIDAN – “Edhe një herë tjetër Zidan tregoi se është një njeri i madh. Na sjell qetësi, është shumë korrekt dhe i drejtpërdrejtë me lojtarët. Është e vërtetë që shumë lojtarë nuk kanë luajtur sa do të donin dhe mund të jenë të mërzitur, por Zidan kërkon t’i bëjë të gjithë të rëndësishëm. Në këtë skuadër ka njerëz të mirë dhe askush nuk krijon probleme për motive personale. Nuk ka mollë të kalbura”.

ZËVENDËSUES – “Zidan më tha se ishte shumë i kënaqur me punën time dhe duhet të vazhdoja kështu. Nuk kisha dyshime për kualitetin tim, por u tregua i sinqertë duke më thënë se në ato momente kishte një ide ndryshe për ekipin. Unë e pranova dhe punova më shumë”.

E ARDHMJA – “E vetmja gjë e sigurt është që do të luaj te Reali deri në fundin e vitit 2021, por pastaj të shohim çfarë do të ndodhë. Dëshira ime e madhe është që ta përfundoj karrierën te Reali i Madridit, por tani nuk është kohë për të menduar këtë”.

Related posts

Zgjidhet orakulli i Botërorit, dhia ruse ‘Zabijaka’ parashikon fituesin

Sadik.Autor

Komisioni i Disiplinës me “dorë të hekurt”/ Mësymja e tifozëve në fushë, e pëson Tirana

Isa.Autor

VENDIMI I DISIPLINËS/ Dhuna vjen nga VIP-at, FSHF mbyll tribunën qendrore në Shkodër (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment