Skënderbeu është në prag falimenti. Jo vetëm prej dënimit dhe shpenzimeve gjyqësore të pafundme gjatë këtyre viteve, por edhe sepse gjoba prej 1 milion eurosh e vendosur nga UEFA tani bëhet problem serioz. Ardjan Takaj, së bashku me zyrtarë të Bashkisë së Korçës po marrin në konsideratë edhe shpalljen e falimentit, që do të sillte më pas edhe zerimin e borxheve të klubit, përfshi edhe atë ndaj UEFA-s. Por edhe këtu ka një problem. Së pari, zhduken titujt dhe koeficienti, sepse juridikisht klubi aktual i Skënderbeut nuk do të jetë më. Së dyti, ka të bëjë me financat dhe këtu është një dilemë e madhe…
OLAINKA & CO
Skënderbeu gjatë këtyre viteve ka qenë mbreti i merkatos dhe jo vetëm që ka shitur lojtarë me shifra të padëgjuara në historinë e futbollit shqiptar, por te një pjesë e tyre ka ende përqindje aksionesh. Vetëm nga Olainka korçarët kanë fituar sistematikisht në çdo shitje të tij, pasi zotërojnë 20 % të kartonit. Plani ishte që ai të shitej nga Slavia e Pragës drejt Gjermanisë për një shifër 8, ose 9 milionë euro dhe më pas Skënderbeu do të përfitonte afro 2 milionë euro, por sulmuesi afrikan u dëmtua rëndë pak muaj më parë. Gjithsesi, ai sërish mund të shitet, madje me shifra të majme. I tillë është edhe rasti i Elezit që ka shkuar te Boavista me klauzolën se nëse bind për një vit, Skënderbeu përfiton 500 mijë euro nga kartoni i tij. Mirëpo nëse Skënderbeu shpall zyrtarisht falimentin, atëherë nuk përfiton asgjë, pasi nuk do të ekzistojë më si klub. Kjo e ka frenuar shumë Takajn: të presë edhe një vit derisa të shiten disa nga xhevahirët që kishte dikur, apo të nisë revolucionin që tani.
Related posts
Click to comment