Lacio ka në gatishmëri një prej lojtarëve kryesorë të formacionit në tri sezonet e fundit. Tomas Strakosha ka lënë pas krahëve dëmtimin e pësuar në gju dhe tanimë është rikthyer në skuadër, në dispozicion të trajnerit Inzagi. Portieri i Kombëtares ishte në gatishmëri që në ndeshjen kundër Torinos, në të cilën lojtarët bardhekaltër dolën dhe pritën në fushë në bazë të rregullores, por torinezët nuk udhëtuan dhe nuk u paraqitën. Mirëpo dje, portieri nuk është stërvitur në vigjilje të ndeshjes me Juventusin. Mirëpo, nuk dihet nëse do të jetë apo do të mungojë ndaj bardhezinjve.
GJENDJA – Portieri kuqezi kaloi një dëmtim që e la jashtë fushave për disa javë. U desh një trajtim i specializuar në Gjermani, që gardiani kuqezi të kalonte dhimbjet dhe shqetësimet në gju. Si të mos mjaftonte periudha e izolimit dhe karantina thuajse njëmujore prej COVID-it, portieri kaloi edhe këtë periudhë dëmtimi. Tanimë, me forcë dhe vullnet, shqiptari ia ka dalë që të rifitojë formën e tij dhe të jetë në dispozicion të bardhekaltërve, i gjendur në stol gjatë pritjes për nisjen e sfidës ndaj Torinos.
RINOVIMI – Me rikthimin e tij në dispozicion, jo vetëm trajneri Inzagi ka gati një nga pikat më të forta të këtyre sezoneve, por edhe drejtori Tare do të nisë në vijim punën për të negociuar kontratën me një investim të rëndësishëm të Lacios. Lajm i mirë edhe për Kombëtaren, që gardiani kuqezi është në dispozicion.
