Futboll Seria A Sport

REZULTATE NEGATIVE TË MILAN NË SERIE A/ “Djalli” në tatëpjetë në kampionat, ja shifrat e vitit 2021…

Që do të ishte e vështirë, tmerrësisht e vështirë, për të mbajtur ritmin e vitit 2020, kjo pritej. Por, që Milani të haste papritur të gjitha këto vështirësi të mëdha, ishte më pak e parashikueshme. Frika më e madhe është se duke parë këtë rënie rendimenti, mund të ekzistojë rreziku që edhe ky sezon të mbyllet me pengje të mëdha, sepse nëse deri dy muaj më parë Milani ishte një skuadër që bënte viktima kudo që shkelte apo, le ta themi, edhe kur nuk i duhej, papritur ka ngritur frenat e dorës në pjesën më të rëndësishme të sezonit. Dhe ndoshta, pse jo, nëse deri në derbi objektivi dhe ëndrra e madhe ishte titulli kampion, tashmë që situata ka ndryshuar, “Djalli” duhet të tregohet paksa më i zgjuar: të vendosë të mos shohë më nga “qielli”, por të nisë më mirë të shohë pas shpatullave, duke qenë se vetëm në javën e fundit, me përjashtim të Napolit, Juventusi dhe Atalanta u kanë marrë edhe dy pikë të tjera kuqezinjve.

LIMITET – Nëse sheh edhe kalendarin që e pret deri në fund të muajit mars, përpara pauzës së kombëtareve, “klientët” janë ndër ata delikatët dhe të rrezikshmit, si Verona, Junajtid, Napoli, sërish Junajtid dhe më pas Fiorentina. Dhe ky vit 2021 nuk do t’ia dijë që të shohë Milanin të ngrihet në fluturim, pasi siç tregoi Udineze, fitorja në Romë nuk dukej se ishte ajo shkëndija e vërtetë se skuadra ishte rikthyer në ritmet e 2020- ës. Këtë që themi e konfirmojnë statistikat, matematika, e cila nënvizon se në renditjen e këtij viti të ri, Ibra me shokë janë vetëm të gjashtët në renditje, e thënë ndryshe me 1.72 pikë për ndeshje (19 pikë në 11 takime në Serinë A). Kjo kuotë e Milanit është e barabartë me atë të Napolit, ndërsa skuadra që komandon renditjen e vitit 2021 është Atalanta me 2.36 pikë për ndeshje, e ndjekur nga Interi me 2.3, Juvja me 2.27, Lacio me 2.2 dhe Roma me 1.8.

SHKURTI I SHËMTUAR – Siç tregojnë numrat e sezoneve të fundit, për t’u kualifikuar në Champions nevojitet një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje. Milani në vitin 2021 është në rënie, nuk është as në normën minimale të mesatares së pikëve, por nëse zgjerojmë edhe më shumë horizontin për të studiuar udhëtimin e bërë nga kuqezinjtë, duke futur në mes edhe daljet në Ligën e Europës, bilanci flet për 7 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje, në 15 ndeshje në këtë vit. Më i dobëti nga të gjithë është muaji shkurt, në të cilin janë regjistruar vetëm 2 fitore në 6 ndeshje dhe në Ligën e Europës, u kualifikuan për në 1/ 8-at me dy barazime. Madje, pas fitores 4-0 ndaj Krotones më 7 shkurt, e vetmja ndeshje në të cilën Milani ka bërë gol me aksion është ndaj Romës dhe mban firmën e Rebiçit. Pjesa tjetër e golave ka ardhur me penallti dhe autogol.

Gjithsesi, në të gjithë këta numra jo për t’u mburrur, ka edhe një sinjal pozitiv që solli ndeshja me Udinezen. Fundja, goli në minutën e 97- të tregon se ky Milan kërkon të besojë deri në fund dhe për të arritur objektiva të rëndësishëm, të luftosh deri në sekondën e fundit nuk është diçka e vogël.

Related posts

DASHURIA PËR FANELLËN/ Skriniar “TËRBON” BARÇËN dhe sheh nga sfida me JUVEN

Isa.Autor

Zbulimi interesant/ Milani pritet të fitojë shifra marramendëse nga Botërori “Rusi 2018”

Sadik.Autor

Pjesa e parë/ Abazaj dhuron spektakël, Rapa përfundon në spital

Sadik.Autor

Leave a Comment