Futboll Kategoria Superiore Sport

THEU FJALËN E TRAJNERIT SHEHI/ Dënohet futbollisti i Tiranës. Ja sanksioni i klubit

Riçard Danso me shumë mundësi do ta mbyllë sezonin tek ekipi i 21-vjeçarëve. Lojtari i bardhebluve që erdhi me shumë pompozitet në verë, ka dy javë që stërvitet dhe luan me Tiranën “e vogël”.

Danso
Zyrtarisht kalimi i tij tek ekipi U-21 është për të marrë minuta. Jo zyrtarisht lojtari është dënuar nga klubi dhe trajneri Orges Shehi, sepse nuk i është përmbajtur rregullores së brendshme të skuadrës. E vërteta është se lojtari prej javësh nuk ka qenë zgjedhje e parë.

Kjo, me sa duket, ka mërzitur afrikanin që i ka kërkuar llogari trajnerit përse nuk është titullar. Shehi në këtë rast e ka sqaruar se për momentin ai ka zgjedhur një formacion tjetër dhe duhet të presë radhën e tij ashtu siç kanë bërë shokë të tjerë në ekip kur luante Riçardi. Danso nuk e ka pëlqyer këtë fakt dhe ka ngritur krye.

Në këto kushte, ka ardhur edhe ndëshkimi. Pas relatimit të situatës nga drejtuesit e teknikës të skuadrës është vendosur që Danso të stërvitet dhe të luajë te 21-vjeçarët për thyerje të rregullores së klubit. Madje, mund të jetë ndëshkuar edhe financiarisht me një gjobë të majme.

LOJTARI – Futbollisti ka disa ditë që e ndjek civil stërvitjen e bardhebluve. Paradite stërvitet me 21-vjeçarët dhe pasdite është spektator. I pyetur për çështjen nga “Panorama Sport”, sulmuesi nuk ka dashur të flasë, duke e anashkaluar atë, edhe pse shpresonte të kthehej tek ekipi i parë. Ganezi që erdhi në Shqipëri pas aventurës amerikane nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe në Superiore. Në 15 takime është aktivizuar 893 minuta. Në dhjetë sfida ka qenë titullar, ndërsa në pesë të tjera sfidën e ka nisur nga stoli. Veç 5 kartonëve të verdhë dhe një të kuqi, ganezi nuk ka shfaqur tjetër gjë në Superiore, ndonëse erdhi me bujë të madhe dhe prej tij pritej shumë. Prej një faze nuk luan me ekipin e parë qoftë edhe një minutë.

Related posts

Një tjetër refuzim për Mourinho, BOATENG: Jam i lumtur te Bayern Munich

Isa.Autor

Impakti Ronaldo, Higuain vjen në top formë në grumbullim

Sadik.Autor

Erjon Veliaj bën PREMTIMIN surprizë: Brenda javës ftesë ZYRTARE për mitin e ringut Botëror

Sadik.Autor

Leave a Comment