Alvaro Morata thyen heshtjen. Pas vërshëllimave që mori në ndeshjen e parë kundër Suedisë, sulmuesi spanjoll thotë se ka vuajtur shumë gjatë këtyre ditëve. Megjithatë, ka forcë për ta përballuar këtë situatë. “Nuk e imagjinon dot sa shumë kam vuajtur gjatë këtyre ditëve. Çdo person që më njeh, e di mjaft mirë çfarë do të thotë për mua të luaj për kombëtaren. U lutem tifozëve që nesër (sot) të na mbështesin. Na duhet patjetër fitorja sepse është java e dytë. Duam të shkojmë në finale dhe ta fitojmë atë”, ka thënë fillimisht Morata.
NDESHJA – “Duhet të fitojmë patjetër ndaj Polonisë. Jemi stërvitur mjaft mirë dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Skuadra është e karikuar dhe ka besim. Duhet të fitonim edhe ndeshjen e parë sepse e dominuam kundërshtarin”. BESIMI- “E dëgjova deklaratën e trajnerit dhe e falënderoj shumë. Nuk e di nëse do të luaj apo jo, por nëse do të jem në fushën e lojës do të bëj maksimumin. Ai e di që unë jap gjithçka dhe nuk kursehem aspak”.
VËRSHËLLIMAT – “Nuk ndodh asgjë nëse më vërshëllejnë, por janë gjëra që kuptohen. Unë jam i pari që jam kritik me veten dhe nuk më zë gjumi nëse bëj gabime. Jam më i motivuar se kurrë. Dua t’u kërkoj tifozëve vetëm mbështetje maksimale për këtë ndeshje”.
PSE FOLI – “Ishte një vendim i të gjithëve që të flisja unë. Nuk kisha ndërmend që ta mbyllja gojën. Unë jam këtu dhe do të jap gjithçka në fushë”.
BASTI – “Më thoni ku të firmos që Spanja fiton Europianin, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Fillimisht të fitojmë ndaj Polonisë dhe të bëjmë një ndeshje të madhe”.
LEVANDOVSKI – “Më pëlqen futbolli i tij. Është një nga sulmuesit më të mirë të historisë. I kam kërkuar fanellën disa herë. Do të më pëlqente të kisha disa prej kualiteteve të tij, por nuk i kam. Unë jam Morata. Ai është fenomen dhe shpresoj që të ketë fat, por jo në këtë ndeshje”.
PSIKOLOGU – “Unë flas shpesh me Hoakinin dhe me të gjithë. Ai është këtu për të na ndihmuar. Unë jam mirë dhe nuk kam nevojë për psikolog. Nuk më shqetëson ajo që mendojnë tifozët, por ajo që mendojnë shokët e skuadrës”.
KRITIKAT – “Janë aksione shumë të shpejta dhe nuk ke shumë kohë të mendohesh. Për mendimin tim nuk ishte një gabim shumë i rëndë. Ai që luan futboll e di që portieri është i shpejtë dhe të tremb. Unë gjithmonë jam gjithçka kur vesh fanellën e kombëtares dhe për këtë nuk duhet të dyshoni kurrë”.
ECURIA– “Kampionati Europian është gjithmonë i vështirë dhe nuk ka ndeshje të lehta. Sigurisht që na duhet të përmirëoshemi në të gjitha aspektet dhe kemi punuar për këtë gjë. Jemi optimistë që do të bëjmë një kompeticion pozitiv. Barazimi ndaj Suedisë nuk është aspak negativ”.
