Futboll Seria A Sport

INZAGHI KËRKON NJË ZËVENDËSUES/ Korrea humb derbin, Interi tani mendon për titullarin e Juventusit…

Interi ka humbur Hoakin Korrean për të paktën tri javët e ardhshme. Ditën e djeshme janë kryer edhe ekzaminimet e detajuara pas dëmtimit që pësoi argjentinasi në ndeshjen me Empolin dhe ashtu si pritej është konfirmuar tërheqja muskulore në kofshën e majtë, por fatmirësisht për zikaltrit dhe për sulmuesin dëmtimi nuk është i një grade të rëndë.

27-vjeçari në këtë mënyrë do të humbasë sfidën e sotme kundër Venecias, por edhe derbin me Milanin në datën 6 shkurt, ashtu si çerekfinalen e Kupës së Italisë përballë Romës, që do të luhet në 9 shkurt.

Pikërisht në ditët që paraprijnë fundjavën e derbit, “Tuku” do u nënshtrohet të tjera ekzaminimeve të cilat pritet jo vetëm të konfirmojnë ecurinë e rikuperimit, por edhe të përcaktojnë përfundimisht kohën e rikthimit të tij në fushë.

Ajo që frikëson momentalisht është tejzgjatja e kohës së rikuperimit, kur Interi mund të detyrohet të bëjë pa të edhe ndaj Napolit, ndeshje që do të luhet në 13 shkurt.

Sfida do të përmbyllë javën e ngjeshur pas Milanit e Romës, por nuk do të jetë e fundit e këtij cikli, pasi tri ditë më vonë zikaltrit do të vendosen para 90 minutave ndoshta më të vështirave deri më tani, atyre me Liverpulin.

Gjithsesi, duke marrë parasysh se ky është dëmtimi i dytë identik i argjentinasit në kofshën e majtë, që nga dhjetori, Interin e bën optimist jo vetëm grada e lehtë e dëmtimit, por edhe dy javët e pauzës së kombëtareve që do të përdoren për rikuperim.

Thënë këtë, ama klubi e di se është në një moment të rëndësishëm të sezonit dhe nuk dëshiron që mungesat të ndikojnë në rezultat, prandaj ka hedhur edhe një herë sytë nga Juventusi, këtë herë për Federiko Bernardeskin.

Mesfushori ka gjetur vazhdimësinë nën urdhrat e Alegrit dhe është kthyer të jetë vendimtar, por ndërsa kontrata i skadon në qershor, akordi për rinovimin nuk është gjetur ende.

Futbollisti bardhezi po monitorohet nga Marota për ta afruar që në janar, si një armë shtesë për supersfidat që e presin Interin, por në pamundësi të afrimit të tij në ditët e ngelura të merkatos, Interi do të hidhej i gjithi në sulm për të bindur italianin dhe për të siguruar firmën që do e transferonte në Milano me parametër zero në korrik.

Related posts

La Liga dominon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Q.Autor

E BUJSHME/ Hysaj mund të ndërrojë skuadër pas vetëm 6 muajsh te Lacio

Delo.autor

“MË MJAFTON NJË GRUSHT DHE E BËJ PËR SPITAL”/ Kërcënohet McGrego (FOTO+VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment