Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ EGNATIAS/ Alarm tek Skënderbeu, 7 lojtarë pritet të mungojnë për duelin e mbijetesës

Skënderbeu është duke kaluar momentin më të errët të sezonit. Humbja e gjashtë radhazi në kampionat ka alarmuar klubin, po mbi të gjitha presioni që vjen prej renditjes, e bën edhe më të vështirë situatën.

Trajneri Migen Memelli nuk ka në krah as fatin, për të nxjerrë ekipin nga kjo gjendje. Dëmtimet në Korçë sa vijnë dhe shtohen, me trajnerin që ka humbur pjesët më të rëndësishme që ka në ekip.

Ndaj Partizanit një gjë e tillë u vu re qartë me lojtarët e paktë që kishte në stol, aq sa ishte e pamundur të bënte zëvendësime për të freskuar ekipin. Por, të shtunën Skënderbeun e pret një ndeshje shumë delikate në transfertë ndaj rivalit direkt, Egnatia.

“Panorama Sport” mëson se lista e mungesave shtohet më shumë këtë javë, pasi përveç Jorgo Meksit, Leonat Vitijës, Jurgen Vrapit dhe Agnaldo Moraeshit që nuk janë riaftësuar prej dëmtimeve, edhe kapiteni Vangjel Zguro pritet të mos jetë i gatshëm.

Mbrojtësi i majtë ka dalë duke çaluar nga fusha në ndeshjen ndaj Partizanit, pasi është dëmtuar në kavilje dhe shanset që të rikuperohet, janë minimale.

Listës së pesë lojtarëve me probleme fizike, u shtohen si mungesa të sigurta edhe Zhan Viktor e Leard Sadriu, që për shkak të kartonëve të verdhë me Partizanin, kanë plotësuar numrin katër dhe janë të detyruar të pushojnë këtë javë. Kjo bën që kambanat e alarmit të jenë të mëdha, pasi pa 7 lojtarë Memelli do ta ketë shumë të vështirë për të ndërtuar formacionin.

TIFOZËT – Humbja me Partizanin i ka djegur shumë tifozërisë bardhekuqe, që këtë herë nuk është kursyer as ndaj trajnerit Memelli, duke kërkuar largimin e këtij të fundit. Sulmet kanë qenë të shumta në faqen e klubit në “Facebook”.

Por, duket se trajneri i Skënderbeut ka “aleate” situatën që po kalon ekipi. Mungesat e shumta kanë ndikuar jo pak, në një kohë që në dy raste, vetë trajneri ka biseduar me presidentin Takaj për të rishikuar pozicionin e tij në krye të stolit, por numri një i klubit nuk e ka shkuar nëpër mend largimin e Memellit.

Related posts

FORMULA 1/ Lewis Hamilton më i shpejti në Spanjë, siguron “pole position” nr.100 në karrierë

Delo.autor

PAS BARAZIMIT NDAJ PORTOS/ Pioli: Nuk ishim në lartësinë e duhur, duhet të rikuperojmë energjitë për derbin

Delo.autor

Guardiola “shënjestron” Thiago Alcantaran, gati 50 milionë euro

Sadik.Autor

Leave a Comment