Futboll Sport

KANE DEL “DUARBOSH”/ Debutim i hidhur me Bayern. Leipzig i dhuroi leksion, Tuchel kërkon ndjesë: Më vjen keq

Në ditën e prezantimit të Harry Kane, blerja e tyre rekord, Bayern pësoi një goditje të fortë. Leipzig i rrëmbeu trofeun e parë sezonal, i thyen në finalen e Superkupës së Gjermanisë, duke i dhuruar trajnerit Tuchel një leksion të pastër futbolli. Me apo pa Kane, të paktën për momentin, Bayern nuk duket gati për këtë start sezoni, një ekip i ndarë në pjesë që nuk arriti për asnjë moment të futej në lojë. Dani Olmo ishte protagonisti absolut i kësaj finaleje me sulmuesin spanjoll që realizoi një “tripletë” golash.

Në “Allianz Arena”, pllakosi heshtja pas vetëm tre minutash lojë, me Dani Olmo-n që brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë. Në fundin e pjesës së parë, me një veprim fantastik, Dani Olmo kaloi këndo që i doli përpara duke shënuar dhe golin e dytë. Me fillimin e pjesës së dytë, Tuchel hodhi në fushë një nga blerjet e bujshme të kësaj merkatoje vere, Kim Min-Jae, me koreano jugorin që dhuroi sinjale pozitive, nga të paktët që nuk stonoi. Në minutën e 63-të, Tuchel hodhi në fushë edhe mister 110 milionë euro, Harry Kane, por “bomberi” anglez nuk u shërbye thuajse asnjë herë, e kishte të vështirë të kapte qoftë dhe një top në zonë.

Atëherë kur tifozët prisnin reagimin e Bayern, Leipzig fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë, Dani Olmo u tregua i saktë duke kompletuar “tripletën” e tij personale. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat, me Bayern dhe Kane që dalin duar bosh. Për ironi të fatit, Harry Kane u transferua te Bayern pikërisht për të fituar trofe, por mjaftohet vetëm me një medalje në qafë. E ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura pas një humbje të tillë trajneri Thomas Tuchel, e cili e nis me një ndjesë për tifozët dhe për Harry Kane.

“Më vjen keq për Harry Kane, ai ndoshta mendon se ne nuk jemi stërvitur për katër javë. Ka një mos përputhje të madhe midis gjendjes, formës dhe humorit me të cilin arrijmë dhe asaj që marrim në fushë, kjo është e qartë, më vjen shumë keq. Kjo ishte një mbrëmje e hidhur, u shpreh Thomas Tuchel.

Related posts

Daja: Sot na buzëqeshi fati, sulmi im ende nuk është në formë. Objektivat nga janari janë…

Isa.Autor

SFIDA NDAJ JUVENTUS/ Trajneri Spalletti: Fillimi i vështirë është një avantazh për “Bardhezinjtë”

Delo.autor

INTER-BOLOGNA/ “Zikaltërit” kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment