Festimet për triumfin historik të Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milan (5-0) u kthyen në episode dhune dhe tragjedi në disa qytete të Francës, duke shkaktuar dy viktima dhe qindra të plagosur, sipas autoriteteve franceze.
Sipas një zëdhënëseje të policisë, një i ri u godit për vdekje me thikë në qytetin Dax, në jug të vendit, teksa një turmë po festonte fitoren e PSG-së. Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta dhe hetimet janë në vijim.
Ministria e Brendshme franceze konfirmoi gjithashtu një viktimë të dytë: një grua që po udhëtonte me skuter në Paris u përplas për vdekje nga një automjet gjatë kaosit të krijuar nga tifozët.
Të paktën 559 persona janë arrestuar, kryesisht në Paris, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të rendit.
Fitorja e PSG-së në Mynih, e cila shënoi suksesin e parë të klubit në këtë kompeticion prestigjioz, u shoqërua me një atmosferë të elektrizuar në të gjithë Francën. Por, për fat të keq, festimet në shumë zona degraduan në përleshje, vandalizëm dhe ngjarje tragjike.
Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
