Futboll Seria A

Allegri paralajmëron Realin: Jemi “luanë të plagosur”, nuk kemi vdekur

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka thënë se lojtarët e tij tani janë si “luanë të plagosur”, por ata ende nuk janë “të vdekur”, duke iu rikthyer analizës së çerekfinales së parë të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, të humbur 3-0 në Torino. “Të martën ka qenë një ndeshje Champions-i, në të cilën kemi dalë si “luanë të plagosur”, por nuk jemi ende të vdekur. Ne duhet të luajmë mirë në ndeshjen e kthimit”, – tha Allegri në konferencën për shtyp, para sfidës së nesërme të Seria A, kundër Beneventos.

Trajneri bardhezi pranoi se lojtarët e tij janë të zhgënjyer nga disfata e së martës dhe i inkurajoi ata që të reagojnë fuqishëm në Seria A. Fitimi i titullit kampion në Itali, theksoi ai, është qëllimi i parë i ekipit të tij. “Ndodhi të martën, por janë gjëra që përsëriten ndonjëherë, sidomos në Ligën e Kampionëve, kur ju luani kundër një ekipi të madh. “Juventusi ka luajtur një lojë të mirë për 60 minuta. Objektivat e klubit të mos ndryshojnë, kampionati mbetet synimi i parë. Djemtë u zhgënjyen nga ajo që ndodhi, por të gjithë, edhe ata që nuk luajtën, janë gati për transfertën e Beneventos. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë në kampionat”, – shtoi Allegri.

Trajneri i Juventusit, gjithashtu, mbështeti argjentinasin Paulo Dybala, teksa tha se nuk ndan të njëjtat kritika për xhevahirin bardhezi, kur bëhet fjalë për punën e tij në ndeshjen kundër Real Madridit: “Dybala bëri një ndeshje të mirë të martën, dëbimi me karton të kuq nuk e errëson punën e tij. Ai ishte i rrezikshëm në drejtim të golit, luajti topin dhe ndihmoi në mesfushë. Paulo bëri një lojë të mirë teknikisht. Unë mendoj se është në rritje në nivelin europian”.

Allegri, gjithashtu, hodhi poshtë spekulimet e qarkulluara në shtypin italian ditët e fundit për qëndrimin e tij te Juventusi në sezonin e ardhshëm: “Unë kam një kontratë me Juventusin, jam i lumtur këtu. Tani për tani nuk mendoj për të ardhmen, sepse kemi punë përpara”.

Related posts

KORONAVIRUSI/ Është zyrare, pezullohet një tjetër kampionat prej epidemisë!

Delo.autor

SHIFRA DHE STATISTIKA/ Kroacia sfidon Francën, ja 5 sekretet e finales

Isa.Autor

ENDE PA MBËRRITUR DHE ZYRTARIZUAR/ Nis efekti Messi tek PSG, të ardhurat rriten me 20 %

Delo.autor

Leave a Comment