Champions League Futboll Sport

CHAMPIONS LEAGUE/ Real Madrid-Bayern, miqtë besojnë te përmbysja

Real Madrid mund të mos ketë luajtur mirë në fushën e Bayern Munich të mërkurën e kaluar, por gjigantët e La Liga arritën gjithsesi të largoheshin nga “Allianz Arena” me një fitore të rëndësishme 2-1. Pavarësisht gabimit të bërë nga portieri Keylor Navas në rastin e golit të Kimmich, që kaloi në avantazh 1-0 Bayern-in, lojtarët e Zinedine Zidane arritën të përmbysnin gjithçka falë golave të Marcelo dhe Asensio. Të martën në mbrëmje, ata do të kërkojnë të shmangin gabimet e bëra në çerekfinalen e luajtur kundër Juventus në “Santiago Bernabeu”.

ROTACIONI – Për këtë arsye, Zidane ka lënë pushim disa nga yjet e ekipit në ndeshjen e kampionatit të luajtur kundër Leganes fundjavën që sapo lamë pas, me dy mungesat kyçe që kanë qenë Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos. Të dy do të jenë në fushë nga minuta e parë, por edhe Bayern ka lënë pushim yjet e skuadrës në ndeshjen e fundit të kampionatit, që do të thotë se asnjë nga dy ekipet nuk do të ketë avantazhe nga kjo strategji.

FAKTORI FUSHË – Gjithsesi, bavarezët mund të jenë më optimistë para kësaj ndeshjeje, duke parë se Real Madrid ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi dhe se ka humbur katër nga 14 takimet e fundit që ka luajtur në “Bernabeu”. Mund të mos duket shumë, por duke marrë parasysh se këto dy humbje kanë ardhur kundër Villarreal dhe Leganes, kjo tregon se ata nuk janë të pakalueshëm në shtëpi.

Nga ana tjetër, Bayern ka fituar shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit dhe ka siguruar prej disa javësh titullin në Bundesliga. Gjithashtu, ata kanë fituar tetë nga 11 ndeshjet e luajtura në këtë sezon të Champions League dhe një humbje 2-1 nuk është e pamundur të përmbyset. Edhe ecuria e tyre në transfertë nuk është aspak e keqe. Ata kanë fituar 13 nga 14 takimet e fundit që kanë luajtur larg publikut të tyre, duke shënuar 44 gola në total.

Shifra dhe Fakte

– Real Madrid ka marrë pesë fitore dhe një humbje në gjashtë ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Bayern, por ka humbur dy herë në shtëpi kundër tyre.
– Real ka shënuar gol në të gjitha 11 ndeshjet e fundit që ka luajtur në “Santiago Bernabeu”.

– Bayern ka fituar 13 nga 14 ndeshjet e fundit që ka luajtur në transfertë, duke shënuar 3.1 gola për ndeshje.
– Real Madrid ka humbur katër nga 14 ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi dhe ka fituar vetëm gjysmën e këtyre takimeve.

Related posts

E BUJSHME/ Zbulohet para kohe fituesi i “Topit të Artë”, shpërthejnë kritikat në rrjetet sociale

Delo.autor

MERKATOJA E JANARIT/ Avdijaj mbërrin në Shkodër, sulmuesi i Tiranës pranë akordit me Vllazninë

Delo.autor

Nga Atletico te PSG, këto janë mbrojtjet më të mira të Europës të 2017-ës

Q.Autor

Leave a Comment