Gabriel Barbosa i papërmbajshtëm në Brazil. Pas 3 golëshit në Kupë ndaj Luverdenses njëri prej tyre me takë, Gabigol ka realizuar 2 herë edhe në fitoren 3-1 të Santosit ndaj Parana, sfidë e vlefshme për javën e 4-t të Brasleiros, me ish sulmuesin e Interit që ka udhëhequr skuadrën paulistë drejt suksesit të parë sezonal në kampionat.
Te Interi zhgënjeu totalisht ndërsa në gjysmën e parë të këtij sezoni nuk gjeti aspak hapësirë te Benfica në Portugali, megjithatë në Brazil muzika ndryshon pasi Gabigol shndërrohet papritur në një tjetër futbollist kur mban veshur fanellën e Santos. Te skuadra nga shteti i Sao Paulos ai po luan në formë huazimi nga Interi, por nëse vazhdon me këto ritme me siguri që Santos do të blejë përfundimisht kartonin e tij ose 21-vjeçari do të provojë një tjetër aventurë në Europë, nuk përjashtohet as rikthimi i tij tek zikaltrit por jo përpara dhjetorit të këtij viti sepse huazimi është 1-vjeçar.
Tashmë Gabigol ëndërron të jetë pjesë e 23 futbollistëve që trajneri i Seleçaos Tite do të grumbullojë për Botërorin e Rusisë edhe pse kjo do të jetë shumë e vështirë duke patur parasysh emrat e friksëhm që 5-herë kampionët e Botës kanë në sulm duke filluar nga Neymar për të vazhduar me Gabriel Jesus, Firminon e Douglas Costën.