Shqipëri

Duka: Komuniteti më njeh mirë, interesante të garoj me një sekretar partie

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ftuar në emisionin “Fair Play” në News 24 po shpalos platformën e tij. Duka flet gjerë e gjatë për sukseset dhe arritjet e tij gjatë 16 viteve në krye të futbollit shqiptar.

Përse e vonuat shpalljen e kandidaturës, cila ishte arsyeja e hezitimit tuaj?

Është temë shumë e diskutuar. Më vjen mirë që futbolli diskutohet kaq shumë. Uroj që këto diskutime të jenë në të mirë të garës. Nuk kam patur asnjë pikëpyetje, por thjesht kam dashur të respektoj statutin, në mënyrë që të kishim kohën e barabartë të gjithë. 30 ditë para u shpall data e zgjedhjeve, të gjithë kishin mundësi të përgatiteshin edhe më herët. Të jem realist kam pritur edhe reagimin e komunitetit.

16 vite në futboll, janë pak apo shumë? Çfarë ju bëri të vazhdonit sërish, pasi fundja e dërguat Shqipërinë në Evropian?

Shqipërinë nuk e dërgova unë në Francë, por ekipi, stafi të gjithë. Çdo futbollist luan derisa e mbajnë gjunjët. Unë nuk e ndjej këtë gjë. Kam projekte të reja, komuniteti më mbështet dhe kam për t’i dhënë akoma më shumë futbollit.

Çfarë mendoni, se nuk e keni bërë mirë gjatë këtyre viteve?

Mos ki turp t’i përmendësh ato që ke bërë! Jemi kujdesur shumë për të bërë dhe pak  për ta ekspozuar. Sot jemi këtu ku jemi, pasi si ekip kemi bërë një punë shumë të mirë. Kur erdha unë, nuk kishim infrastrukturë. Deri në vitin 2002 investimi i vetëm ishte ndriçimi i stadiumit “Qemal Stafa”. Tani ju e shihi vetë çfarë kemi bërë. Kemi investuar rreth 12 milionë euro.

FSHF ishte një institucion me tre njerëz poshtë shkallëve të stadiumit dhe tre njerëz ulur në karrike. Tani jemi një stafi i madh, gjatë gjithë kësaj kohe kemi bërë një punë të madhe.

4-vjeçari i fundit është i artë për mua dhe Shqipërinë. Kanë ndodhur ndryshime rrënjësore. Kemi ndryshuar performancën e ekipeve kombëtare dhe jo vetëm. Shkuam në Evropian, arritëm një gjë që edhe optimisti më i madh nuk e mendonte.

Mendoni se Duka ka nevojë për fushatë për të fituar mandatin e pestë?

Nuk mund të them fushatë, sepse nuk jemi në politikë. Jemi këtu për të diskutuar për sportin, do të diskutojmë me të gjithë njerëzit. Komuniteti i futbollit e di mjaft mirë, se çfarë kam bërë unë.

Sipas jush, ka fituar më shumë Duka apo FSHF?

Kam fituar unë padiskutim. Kam fituar shumë miq, emocione, kritika, suksese të mëdha. Nga pikpamja monetare ka fituar federata, pasi unë kam lënë bizneset e mia pas dore dhe është ndjerë mungesa ime. Nga FSHF nuk jam paguar, nuk kam patur shofer personal. Në këtë aspekt federata ka fituar nga unë.

Keni marrë sponsor kompaninë plus, ndërkohë, që ju ishit aksioner. Pse kjo zgjedhje?

Plus pagoi leke tek federata dhe jo ne tek kompania. Nuk kemi abuzuar, çdo gjë ka qenë komfort rregullave. Nuk ka patur kontestim, është marrë oferta më e mirë dhe kështu është vazhduar. Bizneset e mia janë dëmtuar pas çdo përplasjeje me qeverinë apo edhe në situata të tjera.

FSHF shtet brenda një shteti. Pse nuk janë të hapura financat? A duhet të jenë të hapura financat?

Nuk jemi shtet brenda shteti, por ne kemi vite, që punojmë për ta dërguar në këtë nivel federatën. Sot është një organizatë ,që nuk merr asnjë financim nga shteti, por që shteti merr taksa prej nesh. Të gjithë njerëzit që kanë punuar këtu janë munduar që të vetëfinancohen. Nga 10 mijë franga tani kemi shkuar në 3.5 mln euro.

Related posts

Zyrtare: Lawrence largohet nga Prishtina

Q.Autor

HYRI NË PJESËN E DYTË NË SFIDËN NDAJ VERONËS/ Ja nota që vendos media italiane për mesfushorin e Kombëtares

Delo.autor

SHQIPONJA FLUTURON SËRISH/ Pas largimit të Panuccit, Kombëtarja rikthehet tek fitorja

Delo.autor

Leave a Comment