Kategoria Superiore Shqipëri

Salihi: Ju tregoj trajnerin e Kukësit, kanë marrë një… “gjeneral”

Hamdi Salihi e pranon se është befasuar kur mësoi se ish-trajneri i tij te Rapidi i Vjenës në vitet 2009-2011, Peter Pakult, do të merrte drejtimin e Kukësit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi që luan në Austri tregon “sekretet” e 58-vjeçarit.

salihi

Peter Pakult, ish-trajneri juaj te Rapidi i Vjenës, ka marrë drejtimin e Kukësit. Befasi për ju apo nuk ka asgjë për t’u çuditur…?

Të them të drejtën nuk e prisja sepse bëhet fjalë për një trajner që ka shumë emër të madh në Austri. Pavarësisht se këtë periudhë ka qenë më tepër pushim dhe në skuadra të dorës së dytë, gjithsesi ai ka shumë emër, veçanërisht te Rapidi. Sinqerisht u habita kur mësova se ka pranuar ofertën e Kukësit, por duke ditur tipin e tij, që nuk mendohet gjatë dhe i futet punës pa paragjykuar askënd, nuk duhet të çuditem.

Çfarë kujtoni nga koha kur nisët të njihnit Pakult në Austri?

Pakult ka qenë njeriu kryesor për transferimin tim nga kampionati shqiptar drejt Austrisë. Ishte ky trajner që erdhi për të më ndjekur në disa ndeshje kur isha pjesë e Tiranës. Unë fillimisht kalova te Riedi dhe ishte sërish Pakult ai që kërkonte të më afronte te Rapidi. Me kalimin e kohës ne nisëm kontaktet dhe pas dy sezoneve me Riedin, gjetëm gjuhën e përbashkët dhe unë kalova ta Rapidi i Vjenës.

peter pakult hamdi salihi

Edhe Pakult theksoi se ka ardhur disa herë në Shqipëri…

Për mua ka ardhur në Shqipëri në një ndeshje derbi Tirana-Partizani, ndërsa më pas ka qenë në vendin tonë edhe për lojtarë të tjerë, pavarësisht se unë isha i vetmi shqiptar që luajta te Rapidi.

Ju ka telefonuar ditët e fundit pas zyrtarizimit si trajner te Kukësi…

Në fakt nuk jemi lidhur dot, edhe pse ai më ka telefonuar në ditën kur erdhi në Shqipëri dhe të nesërmen do të prezantohej. E kam parë telefonin me vonesë dhe pastaj nuk mundëm të kontaktonim.

Jeni konfliktuar ndonjëherë në kohën kur ju luanit me Rapidin…?

Siç e thashë edhe më lart, është një person që ka luajtur një rol të madh në karrierën time dhe kam vetëm fjalë të mira për Pakultin. E vërteta është që ai ka qenë gjithmonë korrekt dhe asnjëherë unë nuk kam pasur raporte të këqija me të. Normalisht kur nuk luan, i bie që trajneri të jetë i keq, e më pas nëse të aktivizon, është i mirë. Kjo nuk vlen si shprehje dhe nëse i referohem Pakultit, mund të them se është një trajner që e duan të gjithë në Austri.

Pse e duan të gjithë?

Është i dashur edhe për lojtarët sepse pika e fortë e tij është që nuk paragjykon asgjë. Për Pakult nuk ka të pazëvendësueshëm apo lojtarë që mund t’i preferojë dhe t’i mbajë me hatër. Kemi të bëjmë me një njeri shumë të drejtë. Edhe një lojtar që mund të jetë vetëm 15 vjeç, por stërvitet mirë dhe bind me cilësitë që ka, është e sigurt se do të luajë nga minuta e parë me Pakultin si trajner. Pra, nuk është nga ata që mund të ketë paragjykime.

Njihet si një trajner sulmues, a mund të na shpjegoni më konkretisht për stilin e lojës që pëlqen…

Ana e jashtëzakonshme e Pakult është pjesa e përgatitjes fizike dhe disiplinës. Në fillimet e tij ai ka punuar me Feliks Magath dhe kryesore për të është gjendja fizike e lojtarëve, pasi aty bazon gjithçka për të ndërtuar formacionin. Sa i përket eksperiencës që unë kam te Rapidi, Pakult është një trajner që kërkon të dalë shpejt nga krahët.

Stërvitjen e fokuson totalisht te loja nga krahët, por varet edhe nga skuadra që ka dhe lojtarët që përshtaten me stilin e tij. Pëlqen shumë krosimet nga krahët dhe shpesh te Rapidi praktikonte skemën 4-4-2, ku natyrisht shënonim shumë gola.

Edhe vetë ai ka qenë sulmues kur ka luajtur dhe është pak i fiksuar me këtë mënyrë loje. Është një trajner që kërkon të ketë sa më shumë lojtarë para portës. 4-4-2 e ka të preferuar, por nuk është e thënë se do e vijojë te Kukësi.

Mediat austriake shkruajnë se Pakult është jo pak nervoz. Kush është ndoshta pika e tij e dobët…

Disiplina për të është kryesorja, ka idetë e tij dhe do që lojtarët të zbatojnë çdo gjë me përpikëri. Në të kundërt, ai nuk mendohet dy herë. Këto gjëra i ka të shenjta dhe normalisht lojtarët e Kukësit duhet të sillen si profesionistë. Pakult është një trajner që stërvit mirë dhe te Kukësi futbollistët duhet të flenë mendjen.

Në ç’kuptim?

Në kuptimin që ai do t’i trajtojë të gjithë njësoj dhe kush e meriton të jetë në formacion, ai do të luajë.

Duke njohur karakterin e tij, por edhe mentalitetin në Shqipëri apo edhe klubin e Kukësit, çfarë parashikoni në këtë aventurë të Pakult?

Rëndësi ka që Pakult nuk është paragjykues, por një njeri që u futet gjërave me besim për t’i realizuar. Se si do t’i shkojë aventura te Kukësi, duhet të kuptojmë që futbolli ka edhe fatin me vete dhe nuk i dihet asnjëherë. Do të më bëhej shumë qejfi nëse ka sukses me Kukësin.

JORGIS MEMO

Related posts

GOLI MË I BUKUR I SEZONIT/ Barcelona B liston të parin Rei Manajn me “MAGJINË” ndaj Espanyol (VIDEO)

Delo.autor

TEUTA bëhet “SHKËMB”/ Durrsakët i shkaktojnë humbjen e parë Skënderbeut

Isa.Autor

E PAZAKONTË/ Mbrojtësi ndëshkohet në “shtëpi”, Musta: Të verdhë edhe nga televizori (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment