Albanian Stars Futboll

Basha: Kombëtarja më e bukur me Panuccin, ja çfarë i thashë Memushajt për Barin

Një nga lojtarët me më shumë përvojë në Kombëtaren shqiptare, si dhe me numër të madh sezonesh të zhvilluar në kampionatin italian.

 

 

Migjen Basha me Barin e tij është në kërkim të vendeve të larta të renditjes në Serinë B për të siguruar ngjitjen në elitën e futbollit italian, edhe pse së fundmi rezultatet nuk i janë përgjigjur pritshmërisë së kësaj skuadre dhe mesfushorit shqiptar.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti kuqezi tregon jo vetëm situatën në ekipin e tij, por zbulon edhe bisedat me Ledian Memushajn në lidhje me merkaton.

Basha flet edhe për ndryshimin e Shqipërisë me trajnerin e ri, si dhe për kundërshtarët e kuqezinjve në Ligën e Kombeve.

Si është situata e Barit, sa shanse keni për t’u ngjitur në Serinë A?

Deri më tani mund të them se është mirë. Ka qenë një moment që ishim duke udhëhequr kampionatin në vend të parë, por së fundmi nuk kemi marrë rezultate pozitive dhe kemi humbur kryesimin. Megjithatë, besoj që jemi mirë duke ditur që Palermo dhe Frozinone kanë tjetër buxhet. Sigurisht që faza e dytë do të jetë më e vështirë për të gjithë sepse shumë skuadra kanë ndërhyrë në merkato dhe kanë afruar përforcime.

Migjen, a ke biseduar me Memushajn gjatë periudhës së merkatos?

U përfol shumë ardhja e Ledianit. Për sa di unë, pati pengesa nga ana e Beneventos që e konsideron lojtar të rëndë- sishëm. Kam biseduar me “Ledin” dhe kam treguar çështjen e klubit. Për ne do të ishte një supertransferim dhe do të na ndihmonte shumë.

Çfarë mendimi të ka kërkuar trajneri për Memushajn, si dhe Lediani?

Po përgjigjem vetëm për pjesën e dytë (qesh…). Thjesht si është organizimi në klub. Gjëra që bën çdo lojtar para se të ndërrojë ekip.

Luan prej shumë vitesh në Itali. Thuajse në çdo nivel dhe ekip ka shqiptarë. Çfarë ndjesie është në krahasim me vite më parë?

Është kënaqësi e madhe sepse kemi ndryshuar mendjen e shumë personave që edhe shqiptarët mund të arrijnë rezultate dhe të kenë sukses në sport. Dëgjoj shumë fjalë të mira për sportistët, por edhe për të gjithë aspektet e tjera sa i përket Shqipërisë.

Është hedhur shorti i Ligës së Kombeve për Kombëtaren. Skocinë dhe Izraelin, si i shikon si kundërshtarë?

Në futbollin aktual, të gjithë janë kundërshtarë të vështirë. Nuk ka diferenca të mëdha sepse të gjitha kombëtaret janë të organizuara.

Si e shikon Shqipërinë në raport me të dy ata kundërshtarë?

Sa i përket Izraelit, mund të them që ne e njohim. Në raport me të, në ndeshjen e parë, kemi qenë të pafat. Arbitri bëri disa gabime dhe ndeshja u komplikua që në fillim të saj. Në të dytën kemi luajtur një ndeshje fantastike. Nuk kemi gabuar në asnjë repart dhe kjo bëri diferencën. Sa i përket Skocisë, nuk e njoh mirë. Megjithatë, me sa di unë, për pak nuk arriti që të ishte një prej skuadrave në fazën “play-off” për “Rusi 2018”. Tregues i qartë që është skuadër me kualitet.

Si është të punosh me Panuçin? Çfarë ndryshimi ke vënë re me të?

Panuçi është një trajner që preferon të sulmojë dhe jo që të mbrohemi, siç ishim mësuar në të kaluarën. Kjo gjë është vënë re që në momentin kur ai erdhi në krye të Shqipërisë, dhe ne kemi bërë shumë ndeshje të bukura.

Me taktikën që trajneri Panuçi preferon, sa e gjen veten në skema?

Në fakt, kjo është një pyetje që i duhet drejtuar trajnerit (qesh…). Nga ana ime, mund të them vetëm që jam në dispozicion për çdo sistem të mundshëm loje sepse në të kaluarën i kam luajtur të gjitha variantet për disa vite. Kur ka nevojë trajneri për mua, unë mundohem të jem i gatshëm çdoherë për të ndihmuar Kombëtaren. E them me sinqeritet se për mua ka rëndësi që grupi të jetë pozitiv gjithmonë. Pastaj, jam titullar apo jo, nuk ka rëndësi. E them këtë sepse ai që do të luajë në vendin tim, e di që do të japë maksimumin.

Ideja për të luajtur në sulm a e bën Shqipërinë më të rrezikuar, kujtoj pësimin e 3 golave për 30 minuta nga Spanja, apo e bën skuadër shumë të rrezikshme për çdo nivel kundërshtari?

Kur e ke përballë Spanjën, është problem për çdolloj sistemi loje. Në lidhje me sfidën e fundit, mund të them vetëm që kualiteti i tyre e bëri diferencën.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/basha-kombetarja-me-e-bukur-me-panucin-ja-prapaskenat-me-memushajn/

Related posts

Allan zgjat kontratën me Napolin deri në vitin 2023

Q.Autor

PËR HERË TË PARË NË HISTORI/ “Këpucën e Artë” në Premier e fitojnë 3 lojtarë, ja emrat (FOTO)

Delo.autor

Pjesa e parë/ Ndeshje e çmendur në Marseille, CSKA Moscow tremb Arsenalin (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment