Kategoria Superiore Shqipëri

Kukësi përmbys Partizanin në 3 minuta, Vllaznia fundos Teutën

Është mbyllur me një stuhi golash java e 20-të, me dy supersfidat e vlefshme për objektiva ekstremisht të kundërta, Partizani-Kukësi për vendin e tretë të klasifikimit, ndërsa Vllaznia-Teuta për mbijetesë në Superligë, që kanë dhuruar emocione pa fund. Kështu Kukësi ka triumfuar në kryeqytet duke mundur të kuqtë me përmbysje me rezultatin 1-3, falë golave të realizuar nga Guri (2) dhe Hoxha në harkun e vetëm tre minutave distancë nga njëri-tjetri, që kanë shfuqizuar atë gol të Gojkovic të shënuar për Partizanin vetëm 2 minuta para përfundimit të pjesës së parë, duke shkuar kështu në kutëon e 32 pikëve, për të rimarrë vendin e tretë në klasifikim.

Një fitore e ndihmuar padyshim nga inferioriteti numerik i Partizanit, pas daljes me karton të kuq të Culum në minutën e 65’. Pikërisht në aksionin e parë pas kalimit në epërsi numerike, verilindorët kanë barazuar shifrat, falë shërbimit të Bakajt nga goditja e këndit, për Gurin, që në zonë dërgon topin me kokë lehtësisht në rrjetën e Alban Hoxhës. Vetëm tre minuta më pas, kampionët në fuqi kanë përmbysur gjithçka me një gol simetrik, kësaj here të nisur nga e majta, me Kale që ka shërbyer në zonë për Hoxhën të mbërritur nga mbrojtja. Ky i fundit fiton duelin me të porsafuturin në lojë, Atanda, dhe me kokë dërgon topin në rrjetë. Të kuqtë kanë gjetur rrugën drejt rrjetës, por arbitri anësor ka vendosur për pozicion jashtë loje të Bardhit, duke lënë në fuqi të paprekur avantazhin e Kukësit. Në avantazh, sikurse dhe në epërsi numerike, kampionët e kanë patur të lehtë të ruajnë fitoren, madje dhe ta thellojnë atë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Bakaj është ndëshkuar me karton të kuq në mintën e 90’, por vetëm pasi ishte zëvendësuar, për sjellje jo korrekte ndaj tifozerisë. Në minutën e fundit shtesë Guri ka thelluar epërsinë e kampionëve në 1-3 falë një inkursioni perfekt në kundrasulm ndaj të kuqve.

Image may contain: one or more people, stadium and outdoor

Ndërkohë në Shkodër Vllaznia ka hedhur një hap të madh drejt shpëtimit, pasi ka mundur në shtëpi skuadrën e Teutës, në një përballje direkte për mbijetesë. Kanë qenë vendasit që nuk kanë vonuar të kalojnë në avantazh falë një eurogoli të Çinarit, i cili në të 27’ ka realizuar nga jashtë zone me një gjuajtje të fuqishme. Në të 35’ Malota ka dyfishuar shifrat për kuqeblutë, duke konkretizuar me gol daljen e tij nga mbrojtja dhe krosimin e shërbyer nga goditja e këndit. Të pafuqishëm kanë qenë durrsakët për të reaguar, madje duke shpërdoruar edhe ato raste të krijuara gjatë pjesës së dytë. Pas javës së 20-të Vllaznia mbetet në vendin e 8-të, edhe pse shkon në kuotën e 21 pikëve, duke rritur në 4 pikë epërsinë ndaj Teutës së vendit të 9-të, që  ndjen shumë pranë rrezikun e rënies nga kategoria.

Image may contain: one or more people, stadium and outdoor

Partizani-Kukësi 1-3

Shënues: Gojkovic 43’ / Guri 66’, 90+5′, Hoxha 69’

Partizani: Hoxha, Kotobell, Belica, Gojkovic, Ibrahimi, Sulejmani, Culum, Mala, Asani, Abdurrahimi, Bardhi.

Trajner: Klevis Dalipi

Kukësi: Koliçi, Hoxha, Musolli, Rrumbullaku, Imami, Dzaria, Zderiç, Kale, Bakaj, Et’hemi, Guri.

Trajner: Peter Pacult

Arbitër: Kridens Meta

Vllaznia-Teuta 0-0.Vllaznia-Teuta 2-0

Shënues: Çinari 27’, Malota 35’

Vllaznia: Sherri, Gocaj, Malota, Berisha, Mersini, Krymi, Vucaj, Orelesi, Lika, Çinari, Sukaj.

Trajner: Ernest Gjoka

Teuta: Kastrati, Gjeorgjievski, Shkalla, A.Bilali, Hakaj, Hrkaç, Çyrbja, Beqja, Lajthia, Alhasan, Latif.

Trajner: Gentian Begeja

Arbitër: Juxhin Xhaja

Related posts

Superliga nis me surpriza/ Skënderbeu ngec që në të parën, Kamza mposht Laçin

Q.Autor

HYSAJ TREMB STAFIN DHE EDY REJAN/ Ja çfarë ka ndodhi me mbrojtësin gjatë grumbullimit të Kombëtares

Delo.autor

99-VJETORI I TIRANËS/ Ish-trajneri Ze Maria uron klubin: Krenar që kam qenë pjesë e… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment