Skënderbeu do të luajë nesër me Teutën, në “Niko Dovana”, shumë afër vendit ku ka zhvilluar edhe përgatitjet për këtë ballafaqim të javës së 25-të të Superiores.
Me petkun e kryesuesit bindës të kampionatit, skuadra e Ilir Dajës do të synojë të mos dalë pa gjë nga kjo transfertë, edhe pse përballë do të ketë “djemtë e detit”, që luajnë “për jetë a vdekje” deri në fund të sezonit, për të siguruar mbijetesën. Në konferencë për shtyp, një ditë përpara kësaj sfide, ka dalë mbrojtësi Kristi Vangjeli.
Ai ka nënvizuar ndër të tjera: “Teuta është në një gjendje të vështirë, por mendoj se nuk e meriton të jetë në atë pozicion. Jemi të përgatitur mirë për të arritur objektivin tone, që ta mbyllim kampionatin sa më shpejt dhe të dalim nga kjo ndeshje me 3 pikë.
Kemi një grup të jashtzakonshëm lojtarësh si skuadër. Besoj se përballjet me ekipet e fundit dhe të kreut kanë shfaqur diferencat e mëdha, por shkëputja jonë ka ndodhur për shkak se kemi fituar si brenda, edhe jashtë ndaj rivalëve direktë.
Pra, kemi qenë më të mirë. Rivaliteti i viteve të fundit me Teutën? Ne jemi përgatitur si në çdo ndeshje për të marrë më të mirën, ashtu siç edhe ja kemi dalë në vitet e kaluara ashtu besoj se do ia dalim dhe nesër për të marrë 3 pikët”.