Futboll

Kukësi dhe Laçi triumfojnë në shtëpi, Vllaznia merr pikë të çmuar

U luajtën tri ndeshjet e para të javës së 24-t të Superiores, që dhuruan dy fitore dhe një barazim, por edhe bollëk golash, plot 11 të tillë. Kukësi dhe Laçi nuk kanë falur në fushën e tyre, duke marrë 3-pikëshat e radhës në kampionat, edhe pse kanë ndërlikuar gjithçka në minutat e fundit. Luftë e fortë sportive në Kamëz, por ka munguar goli, duke bërë që barazimi të lërë më të kënaqur kuqeblutë. Një tripletë dhe një dopietë këtë të shtunë. E para, me autor Rexhinaldon e Laçit, në këtë “stacion” të garës, njeriu i suksesit të kurbinasve ndaj Flamurtarit. E dyta e regjistruar nga Sindrit Guri, kryesulmuesi i kampionëve të vendit në fuqi, që ia kanë dalë të përmbysin disavantazhin e hershëm dhe të konsolidojnë pozitat në vendin e dytë tashmë. Goli i minutës ë 16-të i Bilalit dhe ai i minutës së 85-të i Cyrbjes kanë shërbyer si statistikë në këtë transfertë për durrsakët, të cilët ishin maksimalisht të tendosur për të mos dalë duarbosh nga “Zeqir Ymeri”, nisur nga fakti se kanë nevojë jetike për pikë në luftën për mbijetesë. Dy herë Guri dhe një eurogol i Donjet Shkodrës kanë “shkrirë zemrat” e tifozëve kuksianë, që kësaj here, duke shfrytëzuar hyrjen falas në stadium, ishin të konsiderueshëm në numër. Në këtë ndeshje janë akorduar edhe dy kartonë të kuq: Idrizi për vendësit dhe Alhasan për miqtë, i kanë lënë skuadrat e tyre me nga një lojtar më pak prej minutës së 51-të. Tre gola për tri pikë të çmuara, falë të cilave Kukësi e shikon veten i dyti, duke iu larguar edhe më shumë skuadrës vlonjate, që ka dalë kokulur nga transferta kurbinase.

Kuqezinjtë e Shpëtim Duros kanë vijuar të konfirmojnë momentin e tyre negativ, me tri humbje radhazi. Pavarësisht rikthimit të “peshave të rënda”, që munguan në Shkodër, një javë më parë, Flamurtari është mundur nga bardhezinjtë e vlonjatit Gentian Mezani. Laçi iu është falur këmbëve të sulmuesit të vet kryesor, Rexhinaldo, i cili e ka ndëshkuar tri herë portierin e ri mik, Sali. Kujtojmë se edhe në portën e kurbinasve ishte një “new entry”, Vata, duke qenë se mungonte kapiteni Selmani. Dy golat në pjesën e dytë të bregdetarëve kanë dhënë përshtypjen e rihapjes së kësaj sfide shumë të bukur, por vendësit ia kanë dalë me vuajtje në dhjetë minutat e lojës, që të mbrojnë fitoren, madje ta “vulosin” atë me golin e Uzunit, që ka ardhur 120 sekonda para mbarimit të kohës së rregullt. Me këtë sukses, krurbinasit arrijnë me pikë Flamurtarin, në kuotën e 36 pikëve.
Barazim i djersitur i kuqebluve në transfertën e Kamzës. Objektiv i arritur për skuadrën e Ernest Gjokës, që të paktën nuk ka dalë pa gjë në javën e 24-t të kampionatit. Nuk kanë munguar rastet për të dyja skuadrat, por presioni i lartë psikologjik te futbollistët sikur ua ka “mpirë” këmbët. Sulmuesit Plaku dhe Racic kanë gabuar në mundësitë e krijuara, ndërsa Kalaja e ka gjetur rrjetën në minutën e 85-të, por anësori ka anuluar gjithçka për pozicion jashtë loje. Sukaj ka mbetur bosh kësaj here, megjithatë pika e marrë u shërben mjaft të tijve, sepse përforcojnë vendin e tetë në renditje, tashmë me katër pikë më shumë se rivali direct për mbijetesë, Teuta.

Laci-Flamurtari  4-2
Golat: Rexhinaldo 14’, 23’ (pen), 72’, Uzuni 88’ / Siljanovski 74’, Musta 81’
Laçi: Vata, Fangaj, Gjoni, Qaqi, Sefgjini, Lulaj, Lushkja, Uzuni, Eskerda, Nika, Rexhinaldo. Trajner: Gentian Mezani.
Flamurtari: Sali, Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Musta, Sidibe, Hyseni, Useini (Hoxhaj 46’), Alvesh, Kama, Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro.
Gjyqtarë: Kridens Meta, Egin Doda, Dojando Myftari
Kartonë të verdhë: Pollozhani 23’, Sidibe 51’

 

Kukësi-Teuta  3-2
Golat: Guri 45+3’, 66’, Shkodra 63’ / Bilali 16’, Cyrbja 85’
Kukësi: Koliçi, Zderiç, Hoxha, Alla, Idrizi, Rrumbullaku, Dzaria, Musolli, Kale, Shkodra, Guri. Trajner: Peter Pacult
Teuta: Moçka, Alhasan, Bilali, Shkalla, Beqja, Gjeorgjevski, Lajthia, Hila, Çyrbja, Dediç, Latif. Trajner: Gentian Begeja
Gjyqtarë: Laver Alla, Deivis Korreshi, Marjus Qose
Karton të verdhë: Alla 20’, Guri 41’ / Hila 14’, Lajthia 45’
Kartonë të kuq: Idrizi 51’ / Alhasan 51’

 

Kamza-Vllaznia  0-0
Kamza: Gjonikaj, Frashëri, Zgurro, Kuqi, Çukoviç, Ymeri, Arrabal, Rezi, Fukui, Plaku, Raçiç. Trajner: Eldjan Topi
Vllaznia: Sherri, Mersini, Gocaj, Berisha, Malota, Orelesi, Cinari, Krymi (Tafili 46’), Lika, Vucaj, Sukaj. Trajner: Ernest Gjoka
Gjyqtarë: Enea Jorgji, Rudin Preca, Astrit Mahmuti, Klajdi Kola, Fation Xhemalaj
Kartonë të verdhë: Racic 15’, Rezi 28/ Orelesi 37’, Berisha 45’, Gocaj 54’

Related posts

VLLAZNIA-PARTIZANI/ Sfidë me shumë frikë, luhet edhe një “copëz” titulli në Shkodër

Delo.autor

ËSHTË ZYRTARE/ Ish-futbollisti i Partizanit emërohet menaxher i ekipeve kombëtare (FOTO)

Delo.autor

VENDIMTARE PËR TË ARDHMEN/ ​28 ditët që mund ta ndryshojnë gjendjen e Real Madridit

Isa.Autor

Leave a Comment