Futboll Premier League

Valoni Berisha drejt Premier League e kërkon klubi i Newcastle

Valon Berisha shumë shpejt nën urdhërat e trajnerit të njohur që ka fituar Champions League

Klubet e Premierligës janë duke e pritur Valon Berishën qe një kohë të gjatë.

Newcastlet i janë zgjatur veshët duke e pritur mesfushorin kosovar qe 18 muaj, ndërsa interesim për përfaqësuesin kosovar ka shprehur edhe Leicester City. Futbollisti i Salzburgut mund të transferohet në kampionatin anglez gjatë verës për 13-15 milionë euro.

Valon Berisha është pa dyshim futbollisti më i mirë që e ka Kosova sot. Mesfushori kualitativ po shkëlqen me Përfaqësuesen e Kosovës, por edhe me ekipin e tij, Red Bull Salzburg.

Ky fakt u ka rënë në sy edhe klubeve evropiane, të cilat do të donin ta kenë në ekipet e tyre.

Mbi të gjitha ish-përfaqësuesin norvegjez e duan në Premierligë dhe e ardhmja e tij mund të jetë pikërisht në kampionatin anglez.

Në javët në vazhdim Berisha mund ta bëjë lëvizjen e madhe pasi është pjekur sa duhet dhe është momenti për t’u larguar nga Austria.

Newcastle e priti 18 muaj

Pa dyshim Newcastle United është ekipi që e do më së shumti Berishën.

Trajneri Rafael Benitez është në kërkim të një numri 10 në klubin nga Premierliga dhe Berisha shihet si lojtari ideal për ta mbuluar këtë pozitë.

Madje mediet angleze shkruajnë se Bardhezinjtë janë duke e pritur përfaqësuesin kosovar qe 18 muaj, por që nuk janë dorëzuar ende derisa ta bëjnë atë të vetin.

“Magpies” do ta bëjnë ofanzivën e radhës gjatë verës me shpresën që nuk do të kenë shumë konkurrencë.

“Newcastle është duke e vëzhguar Berishën në 18 muajt e fundit dhe tash talenti kreativ është në top-listën e dëshirave të Benitezit. Tifozët do ta presin një lëvizje të re në këtë drejtim në afatin kalimtar të verës”, shkruan “The Chronicle Live”.

Krahas Newcastlet, interesim për Berishën ka shprehur edhe klubi tjetër anglez Leicester City, që është në kërkim të një organizatori të lojës pasi Riyad Mahrez pritet të largohet gjatë kësaj vere.

Sidoqoftë, Berisha duket më afër klubit nga “St James’ Park”, i cili po e pret qe një vit e gjysmë.

Përfaqësuesi kosovar ka realizuar 43 gola dhe ka dhuruar 63 asistime në 226 ndeshje me Salzburgun, ndërsa ai mund t’i japë kreativitet dhe gola lojës së Newcastlet dhe të bëhet një lider i vërtetë i këtij ekipi.

Në Premierligë për 13-15 milionë euro

Vlera e Berishës është rritur në mënyrë enorme viteve të fundit në bazë të paraqitjeve të tij të shkëlqyeshme me Red Bull Salzburgun, por edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.

Në bazë të uebfaqes së specializuar për vlerësimin e futbollistëve “Transfermarkt”, vlera e futbollistit kosovar sillet afro 5 milionë euro.

Mirëpo, mediet britanike shkruajnë se Berisha mund të transferohet në ndonjërin prej klubeve të Premierligës për 13-15 milionë euro.

Berisha është pjesë e Salzburgut që nga viti 2012 dhe këtë sezon është në formë të shkëlqyer duke realizuar 11 gola dhe duke dhuruar 9 asistime në 38 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, për ta ndihmuar gjigantin austriak drejt kualifikimit në çerekfinale të Europa Leagues dhe qëndrimit në krye të T-Mobile Bundesliga. Ai ka realizuar dy gola ndaj Borussia Dortmundit në të tetën e finales së Europa Leagues.

Berisha i ka zhvilluar 20 ndeshje me Norvegjinë, por iu bashkua Kosovës posa kjo e fundit u pranua në UEFA e në FIFA.

Related posts

Lazio-Sampdoria, formacionet zyrtare

Sadik.Autor

EUROPA LEAGUE/ Pas një asist nga Traore, Aubameyang ndëshkon Napolin me një “PERLË” (VIDEO)

Delo.autor

Alonso zbulon ëndrrën: Dua të drejtoj Liverpoolin

Q.Autor

Leave a Comment