Futboll Seria A

Allegri: Nuk e fajësoj Buffonin, për 20 vite ka qenë shembull

Trajneri i bardhezinjve, Masimilliano Allegri, ka dalë sot në mesditë në konferencë shtypi, ku ka folur për ndeshjen me Sampdorian, por nuk mund të evitonte edhe problematikën që shoqëroi eliminimin nga Liga e Kampionëve, në çerekfinale, ndaj Real Madridit.

Penalltia – “Ishte minuta e 93-të dhe në atë kohë është e vështirë të ruash freskinë mendore. Nuk më ka turbulluar as penalltia, as pozicioni i Alex Sandros. Madje, dua t’iu bëj komplimente djemve për ndeshjen e bukur. Ishte një mbrëmje fantastike për futbollin dhe tifozët meritonin të ndiqnin edhe një tjetër 30-minutësh. Gjithsesi, tani nuk ka më vlerë të diskutojmë. Duhet të përqendrohemi te ndeshja me Sampdorian në kampionat, për të synuar titullin e shtatë radhazi, por edhe në Kupën e Italisë, ku jemi finalistë.

Reagimi i Buffon – Të gjykosh nga jashtë është gjithmonë e lehtë, por duhet të ndodhesh në të njëjtën situatë, për ta kuptuar. Gigi për 20 vite ka qenë gjithmonë një shembull, brenda dhe jashtë fushës së lojës, ndaj një herë, në një situatë të vështirë dhe të komplikuar, duhet mirëkuptuar. Iu hoq edhe mundësia për t’i pritur penalltinë Ronaldos, kështu që ta gjykosh tani, nuk ka sens. Nëse ndonjë njeri në botë nuk do të reagonte në ato momente, atëherë do të kishte probleme psikologjike”.

Gjyqtari Oliver – “Mendoj se ka gjykuar mjaft mirë në një ndeshje aspak të lehtë. Nuk dua të merrem fare me penalltinë, ishte apo nuk ishte. E vetmja gjë që gjyqtari mendoj se gaboi, por që asnjë nuk e evidentoi, ishte akordimi i 3 minutave shtesë. Në pjesën e dytë u krye vetëm një zëvendësim, ndërsa nuk pati asnjë ndërhyrje të mjekëve në fushë, ndaj duhej dhënë vetëm një minutë shtesë. Nuk është kusht që të japësh gjithmonë 3 të tilla”.

Formacioni – “Do të luajë Buffon, njëri mes Ruganit dhe Benatia, ndërsa De Schiglio ka një problem. Në sulm do të luajë Cuadrado dhe, me shumë gjasa, Mandzukiç e Higuain. Megjithatë, deri nesër do të bëjmë sërish vlerësimet e duhura.

Eliminimi dhe e ardhmja – Nuk besoj se eliminimi nga Champions-i lidhet me të ardhmen time, pasi skuadra luajti mirë dhe garoi deri në fund. Pas ndeshjes në Madrid nuk kam folur ende me presidentin. Gjithsesi, kam kontratë deri në vitin 2020 dhe, kur të ulemi, do diskutojmë për planet e sezonit të ardhshëm”.

Related posts

FESTIMI QË I “ÇMENDI” TË GJITHË/ Futbollistja amerikane shfaqet duke kërcyer “tweerk” pas triumfit (VIDEO)

Delo.autor

TJETËR TROFE PËR RONALDON/ Portugezi lë pas Mesin me rekordin e ri

Delo.autor

“JAM MË I VOGLI NË SUPERIORE”/ Kush është futbollisti 17-vjeçar që po shkëlqen te Bylisi

Delo.autor

Leave a Comment