Champions League Futboll Sport

CHAMPIONS LEAGUE/ Sonte, Liverpool-Roma: sulmi i parë drejt finales së madhe të Kievit

Ato nuk trokisnin si favoritë, në rrugën e tyre, për këto gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Liverpool dhe Roma “ribotojnë” finalen e fituar nga penalltitë prej “Reds”, në vitin 1984. Një gjysmëfinale e paimagjinueshme, kur Champions-i e hapte “perden” në fillim të shtatorit. Anglezët dhe italianët vinin nga pozita e vendit të tretë në ligat e tyre përkatëse, por e superuan logjikën e shtëpive të basteve, duke dalë në mes të katër ekipeve më të mira në kontinent.

Tashmë është histori tjetër. Disa filluan ta shikojnë futbollin e Jurgen Klopp në “Anfield” me një ngurrim, ndoshta edhe si një vetëvrasje, por pak nga pak, të gjithëve iu është dashur të dorëzohen para sharmit të një ekipi që ka 33 gola në 10 ndeshje të këtij sezoni dhe kompeticioni. Ata udhëhoqën grupin e Sevilla, shënuan 7 gola ndaj Maribor dhe Spartak (7-0 dhe 0-7), vendosën një dorë të vogël në Oporto, në raundin e dytë, dhe fituan si në shtëpi (3-0), edhe jashtë (1-2), në derbin anglez të Champions-it, kundër “qytetarëve” të Pep Guardiolës. Në këtë mënyrë, ky Liverpool e bëri më të qartë se kurrë se di të konkurrojë edhe në garën elitare të klubeve të Europës.

Sistemi mbrojtës la shumë dyshime në fillim të sezonit, sidomos kundër Manchester City (5-0), Tottenham (4-1) dhe Arsenal (3-3), por ardhja e Van Dijk, zbulimi i Robertson në anën e majtë dhe përfshirja e një mesfushori shtesë në vendin e Coutinhos, duket se ka dhënë një ekuilibër të ri në formacionin e Klopp, sipas modulit 4-3-3. Megjithatë, Liverpool i trajnerit gjerman e ka mbajtur portën të pastër në gjashtë nga 10 ndeshjet e fundit, në të cilat “Reds” kanë pësuar vetëm gjashtë gola.

Rruga e Romës për në gjysmëfinale, gjithashtu, meriton vlerësim maksimal, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në ndeshjet e mbetura. Monchi e mbuloi boshllëkun e lënë nga largimi i Salah në verën e kaluar me magjinë e tij të zakonshme dhe Di Francesco u kujdes për pjesën tjetër, me një grup me më pak emra, por me shumë pasuri taktike. Pra, duke luajtur ndonjëherë me katër mbrojtës, por herë të tjera edhe me vetëm tre lojtarë në prapavijë, kryeqytetasit italianë kryesuan “grupin e vdekjes”, përpara Chelsea dhe Atlético Madrid.

Ata mundën Shakhtar me mjaft përpjekje, morën një fitore historike pararendëse, për të kapërcyer disavantazhin 4-1 ndaj Barçës, dhe mbërrijnë sonte në “Anfield” me 5 tituj më pak në Champions se Liverpool, por me të njëjtat iluzione. E thënë ndryshe, Liverpool-Roma, është sulmi i parë drejt finales së Kievit. Këtë të martë, Liverpool i Jurgen Klopp dhe Roma e Eusebio Di Francesco përballen në “Anfield”, në gjysmëfinale, në të cilën vijnë duke eliminuar respektivisht “Barcelonën” e Pep Guardiolës dhe Barcelonën e Ernesto Valverde.

Një rol protagonisti në këtë sfidë duket se i korrespondon Mohamed Salah, i cili në verën e kaluar la Romën dhe nënshkroi me Liverpool. Ai është pikë referimi e futbollit botëror në këtë edicion, me 41 gola të shënuar në të gjitha garat, 31 prej tyre në Premier League, çka i lejon sulmuesit egjiptian të udhëheqë tani garën e “Këpucës së Artë”. Dy trajnerët respektivë, Di Francesco dhe Klopp, vlerësuan njëri-tjetrin. “Më pëlqen koncepti i tij i futbollit”, – tha trajneri i Romës për kolegun e tij të Liverpool. Klopp qeshi dhe u përgjigj se “Di Francesco dhe unë dukemi njësoj me syza dhe luajmë futboll të mirë”.

Klopp ishte, gjithashtu, i vërtetë ndaj vetes, kur u pyet nëse do të trajnonte në Itali: “Jo, sepse në një restorant italian unë do të dija vetëm si të porosisja një pjatë spageti”. “Unë, në Angli, jam vetëm një hamburger”, – replikoi Di Francesco. I nxitur nga tridenti i formuar nga Sadio Mané, Roberto Firmino dhe Mohamed Salah, Liverpool kërkon të bëhet kampion i Europës për herë të gjashtë (i pari, që nga viti 2005, kur e arriti atë nën drejtimin e Rafa Benitez).

Për të hyrë në Kiev, ai duhet të eliminojë Romën, titulli i vetëm europian i të cilës është Kupa e Panairit të sezonit 1960-1961. Verdhekuqtë nuk posedojnë emra të spikatur, por ama kanë një referencë të madhe në sulm, si Edin Dzeko. Sipas trajnerit Di Francesco, pranë boshnjakut do të luajë turku Cengiz Under, ose çeku Patrik Schick.

Related posts

Zhbllokohet rezultati në takimin Korea e Jugut-Meksikë (VIDEO)

Sadik.Autor

KALON NË ÇEREKFINALE TË “MINSK 2019″/ Boksieri kosovar mposht italianin Mangiacapre

Delo.autor

Guardiola: Para se të vinte Messi, ai ka qenë lojtari që më ka befasuar më shumë

Q.Autor

Leave a Comment