Futboll

Dalipi: Kukësi të fokusohet te Kupa, ne duam vendin e dytë dhe Champions-in!

Klevis Dalipi, trajneri i Partizanit, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka bërë prognozën e ndeshjes së radhës në kampionat, kundër Kukësit, në “Zeqir Ymeri”, por ka folur edhe për çështje të tjera. Në fjalën hapëse, ai nënvizoi: “E kam deklaruar edhe në përfundim të ndeshjes ndaj Laçit se na pret një transfertë e vështirë në Kukës, për vetë pozitat që ndodhemi aktualisht. Tashmë, skuadra ka krijuar një fizionomi loje, gjë të cilën e përforcoi edhe në sfidën ndaj Laçit. Do të përballemi me një skuadër si Kukësi, që ka kualitete, por duke qenë se Kukësi ka shanset e tij edhe në Kupën e Shqipërisë, them që për ne kjo ndeshje bëhet akoma më primare për objektivat tona. Do të shkojmë në Kukës për të treguar forcën tonë. Tashmë skuadra është e plotë, ndaj shkojmë vetëm për një objektiv, fitoren”.

A do të ishit i kënaqur edhe me një barazim ndaj Kukësit?
Dua të them që përgjatë 90 minutave do të japim gjithçka për të marrë maksimumin. Lojtarët duhet të tregojnë frytet e punës që kemi bërë deri më tani. Ka ardhur momenti për të treguar fytyrën tonë të vërtetë në një ndeshje kaq decisive, si ndaj Kukësit. Janë edhe 8 ndeshje si finale, në të cilat duhet të marrim maksimumin. Futbolli ka të papritura, ndaj duhet të kemi përqendrim maksimal derisa të arrijmë objektivin që kemi.

A do të ndryshoj skema e lojës së skuadrës suaj?
Ibrahimi rezulton mungesa e vetme për këtë ndeshje. Eshtë rikthyer Fejzullahi, që ka zhvilluar një përgatitje mjaft të mire. Por, mendoj që për një ndeshje kaq specifike, kaq të vështirë, për vetë pozitat, nuk do të ishte mirë edhe për vetë Fejzullahin të luante, duke qenë se nuk është ende në kontigjentin e tij më të mirë fizik. Do të mundohem që ta plotësoj pozicionin e krahut të djathtë me një lojtar tjetër, në mungesë të Ibrahimit.

Keni në dispozicion 18 titullarë, sa e vështirë është të menaxhoni këtë grup lojtarësh?
Traineri dhe stafi duhet të bëjnë zgjedhjet e duhura në momentin e duhur, por çdo ndeshje ka specifikën e saj. Në ndeshjen me Kukësin do të aktivizohen ata që do ta meritojnë plotësisht, por sigurisht, kur ke edhe një stol me shumë cilësi, kjo më jep shumë zgjidhje edhe gjatë lojës.

Në 5 ndeshjet e fundit, Partizani nuk pëson gol. A është kjo një filozofi e lojës tuaj?
Po të mbani mend në konferencën e fundit kam deklaruar se e rëndësishme është që skuadra të fitojë. Për të mbërritur te fitorja është më e vështirë sesa për të marrë vetëm një pikë, ndaj ne nuk hyjmë në lojë për të mos pësuar gol, por për ta fituar ndeshjen. E rëndësishme është që skuadra të fitojë, pëson apo nuk pëson gol. E dimë që është shumë e vështirë, pasi duke iu afruar fundit të kampionatit, të gjitha skuadrat mobilizohen dhe japin maksimumin. Dua të shtoj që kemi një grup të plotë lojtarësh, me shumë cilësi.

Cilës skuadër i druhesh më shumë, Laçit apo Luftëtarit?
Laçi është disi më lart. Javën e kaluar fituam me rezultatin 3-0, megjithatë s’duhet të harrojmë që edhe fati ishte me ne. Nuk është tablo reale e lojës rezultati 3-0. Ndeshja me Luftëtarin ishtë sfidë brenda shtëpisë. Të dyja këto skuadra do të luftojnë për vendin e 3-të, ndërsa ne do të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin.

A jeni më i qetë me besimin që ju ka dhënë presidenti Demi?
Sigurisht që kjo më qetëson, por e kam deklaruar edhe më parë se presidenti ma besoi mua skuadrën, pasi e njoh mirë ambientin prej 5 vitesh, sa jam këtu. Unë do të vazhdoj të bëj punën time me përkushtim. Pavarësisht ndonjë fjale në media, lojtarët duhet të më ndjekin, duhet të kenë besnikëri në atë që bëjmë gjatë gjithë javës. Unë besoj se skuadrën e kam patur me vete. Sigurisht, në të ardhmen kemi shumë punë për të bërë, duhet të shkojmë afër perfeksionit. Një skuadër, për të arritur objektivat, duhet të ketë perfeksionim.

Sormani deklaroi se u largua, pasi nuk kishte disiplinë te Partizani. Po me ju, si është?
Nuk besoj se kjo ndodh me mua. Skuadra po tregon profesionalizëm të vërtetë. Dua të përmend lojtarët e vjetër, që kanë qenë dhe janë bërë model për lojtarët e rinj, por edhe për ata që kanë ardhur rishtazi në janar. Këta të vjetrit, që kanë 4 vite këtu, Batha, Trashi, Hoxha, Ibrahimi, por edhe Progni, duan t’u tregojnë lojtarëve të rinj se sa e rëndësishme është kjo fanellë. Të gjithë si grup mund të bëhemi një skuadër e forte, siç kemi bërë në këto momente.

Cili është objektivi i skuadrës?
Unë e mora skuadrën në dy fronte. Rrezikonim për poshtë, por edhe të arrinim Kupat e Europës. Tashmë, këtu ku jemi sot, po flasim që të shkojmë më lart. Duam të shkojmë në Kupat e Europës. Kur e mora skuadrën, këtë objektiv e rrezikonim. Gjithashtu, do të luftojmë edhe për vendin e dytë, pasi janë edhe 8 ndeshje për t’u luajtur. Megjithatë, duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.

A ju shkon në mendie një skenar i mundshëm, ku mund të dënohet Skënderbeu dhe ju të merrni pjesë në Champions?
Patjetër që më shkon në mendje dënimi i Skënderbeut, por nuk më vjen mirë për të. Ky dënim nuk i bën mirë futbollit shqiptar. Ne do të luftojmë për vendin e dytë. Nëse Skënderbeu dënohet realisht, atëherë pjesëmarrja jonë në Champions do të jetë një bonus i madh për Partizanin.

A do ta vendosin 8 javët e mbetura të ardhmen tuaj?
Patjetër që do të jenë vendimtare. Nëse unë fitoj dhe skuadra nuk merr pjesë në Kupat e Europës, nuk ka kuptim. Duhet të jenë paralelisht të dyja, edhe pjesëmarrja në Europë, edhe performanca ime me skuadrën, të cilat mund të na japin garanci për të ardhmen.

Related posts

SHKËLQEN BEKIM BALAJ NË KAMPIONATIN AUSTRIAK/ Sulmuesi i Kombëtares gjen rrugën e rrjetës me Sturm Gracin (FOTO)

Delo.autor

“IBRA ËSHTË THELBËSOR PËR “KUQEZINJTË”/ Pirlo: Milan ekip për t’u mundur, por Juventusi im…

Delo.autor

RINOVIME TË RËNDËSISHME/ Bayern Munchen “kyç” portën

F.autor

Leave a Comment