Futboll

Ka dëshirë, por jo gola në Laç. Kualifikimi vendoset në Kukës

Laçi-Kukësi  0-0
Laçi: Vata, Shtubina, Qaqi, Gjoni, Sefgjini, Lulaj, Eskerda (Lushkja 76’), Kallaku, Nika (Xhixha 80’), Uzuni, Reginaldo. Trajner: Gentian Mezani.
Kukësi: Koliçi, Zderic, Shameti, Hoxha, Rumbullaku, Musolli, Dzaria (Balde 78’), Idrizi, Shkodra (Imami 63’), Kale (Et’hemi 85′), Guri. Trajner: Peter Pacult.
Gjyqtarë: Andi Koçi, Ermal Barushi, Fatmir Lama, Klodian Shahini, Indrit Myrtja
Kartonë të verdhë: Shtubina 42’, Lulaj 72’ / Guri 38, Musolli 42’, Idrizi 67’

Mbyllet pa gola gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë, mes Laçit dhe Kukësit. Pavarësisht se në radhët e dy skuadrave luajnë dy goleadorë të kampionatit shqiptar, Rexhinaldo dhe Guri, rrjetat kanë mbetur të paarritshme për ta. Ashtu si për lojtarët e tjerë.

Një barazim me përpjekje më të shumta të bardhezinjve të Mezanit, por që ka kurorëzuar vendosjen mjaft të mirë të miqve, të cilët në prapavijë kanë qenë të pakalueshëm. Një hap drejt finales për të besuarit e Pacult, që do ta luajnë kthimin në shtëpi, pas dy javësh, edhe pse gjithçka rinis nga “zeroja”.

Ndeshja nis më kërkuese për vendësit. Laçi tenton të dalë nga krahët, me pasime të rrjedhshme, duke tentuar për finalizim Rexhinaldon.

Në anën tjetër, Kukësi është më i kujdesshëm në veprime, tenton ta mbajë kundërshtarin sa më larg portës së vet, duke i nisur detyrat difensive që në mesfushë. Guri, në majën e sulmit të verilindorëve, mban në presion mbrojtjen kurbinase, teksa përveç Qaqit, që aplikon markim personal për goleadorin shkodran, mendojnë edhe të tjerët.

Në minutën e 7-të, Kallaku jep një pasim të gjatë, prapa krahëve të mbrojtjes kuksiane, për Uzunin, që ka terren të përparojë dhe kërcënojë portën e Koliçit. Beratasi i bardhezinjve vonon, duke i dhënë mundësinë kundërshtarit të ripozicionohet.

Ansi Nika del rrezikshëm nga e djathta e ofesivës për të tijtë, duke krijuar shqetësime për miqtë, teksa në anën tjetër, Uzuni duket nën kontroll nga kampionët e vendit në fuqi, veçanërisht nga Idrizi dhe Zderic.

Pas 10 minutash loje, zgjohet disi edhe Kukësi. Kale ka një raport të mirë pasimi me Gurin, teksa ky i fundit zotëron luftën në ajër karshi kurbinasve, duke i bërë mbrojtësit vendës të djersitin shumë. Goditja e parë e rrezikshme nga miqtë vjen në minutën e 19-të, kur Idrizi kominon bukur me Shkodrën.

Ky i fundit godet fort, por jo në kuadratin e Laçit. Në minutën e 26-të vjen goditja e parë e rrezikshme për vendësit. Godet Eskerda nga distanca, por topi përfundon ngjitur me shtyllën pingule, të mbrojtur nga Koliçi.

Momente tensioni në minutën e 40-të, kur Musolli përplaset me Shtubinën. Kryesori i ndëshkon të dy me të verdhë. Në minutën e 43-të, Kale rrëmben një top në mesfushë dhe kundërsulmon shpejt, godet mbi vijën ballore të zonës së portës bardhezi, por topi shkon në duart e Vatës. Pjesa e parë mbyllet pa gola, por edhe pa shqetësime serioze në dy portat respektive. Fraksioni i dytë nis me një goditje potente të Uzunit, që angazhon Koliçin, me një planzhon në krahun e djathtë.

Katër minuta më pas kundërpërgjigjet Dzaria, në të njëjtën mënyrë, por topi shkon mbi tra. Minuta e 54-t trondit prapavijën kuksiane. Eskerda kroson nga e djathta, teksa Uzuni zhytet me kokë, te pika e penalltisë, por godet keq, si të ishte në rolin e mbrojtësit mik. Minuta e 60-të: Pas një goditjeje këndi, Guri godet bukur me kokë, teksa portieri i Laçit bën mrekullinë me pritjen e tij, duke i thënë “jo” golit të verilindorëve. Trajneri Pacult bën zëvendësimin e parë. Nxjerr nga loja Shkodrën dhe aktivizon Imamin, në minutën e 63-të.

Në minutën e 73-të Kukësi gjen rrugën e rrjetës, por gjyqtarët anulojnë gjithçka për faull në dëm të mbrojtësit vendës. Në cerekorëshin e fundit të lojës bëhen zëvendësime të tjera. Pacult shton edhe Balde në sulm, duke tentuar të shfrytëzojë kundërsulmin, ndërsa në kampin tjetër nuk rreshtin përpjekjet, por pa sjellë ndonjë rrezik serioz për Koliçin. Portat respektive mbetën të paprekura, duke e lënë kualifikimin të hapur për në gjysmëfinalen e kthimit, në “Zeqir Ymeri”, pas dy javësh.

Related posts

Aguero mbyll merkaton: Nuk iki nga Manchester City!

Sadik.Autor

KJO NUK PRITEJ/ MILANI kërkon të prishë huazimin e lojtarit 23 vjeçar, për shkak se…

Isa.Autor

BALOTELLI BËN “SPEKTAKËL”/ Shënon GOLIN dhe poston në… Instagram! (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment